| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Ministri Hoxha: Shqipëria nuk do të tërhiqet nga Kievi dhe mbështetja për Ukrainën
“Shqipëria e konsideron njoftimin e Rusisë, ku u bën thirrje personelit diplomatik dhe qytetarëve të huaj të largohen nga Kievi përpara sulmeve të planifikuara, si krejtësisht të papranueshëm”, ka deklaruar ministri Hoxha.
Ministri Hoxha: Shqipëria nuk do të tërhiqet nga Kievi dhe mbështetja për Ukrainën
Ministri Hoxha: Shqipëria nuk do të tërhiqet nga Kievi dhe mbështetja për Ukrainën / AA

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar se Shqipëria e konsideron “si krejtësisht të papranueshëm” njoftimin e Rusisë, ku u bën thirrje personelit diplomatik dhe qytetarëve të huaj të largohen nga Kievi përpara sulmeve të planifikuara.

Në një reagim në rrjete sociale, Hoxha ka theksuar se Shqipëria nuk do të tërhiqet nga Kievi.

“Shqipëria e konsideron njoftimin e Rusisë, ku u bën thirrje personelit diplomatik dhe qytetarëve të huaj të largohen nga Kievi përpara sulmeve të planifikuara, si krejtësisht të papranueshëm. Kërcënimi i ambasadave nuk është diplomaci, është intimidim. Ai përfaqëson një tjetër shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Shqipëria nuk do të tërhiqet. Ne mbetemi në Kiev. Ne qëndrojmë fort me Ukrainën. Dhe nuk do të intimidohemi”, është shprehur ai.

Kryediplomati Hoxha ka theksuar se përgjigjja për këtë luftë “nuk mund të jetë më shumë luftë, më shumë krime ose sulme pa dallim kundër civilëve dhe infrastrukturës civile”.

“E vetmja rrugë përpara është t’i jepet fund një lufte që nuk duhej të kishte filluar kurrë dhe angazhim në negociata të vërteta dhe me mirëbesim për paqe. Kjo iu përcoll shumë qartë ditën e sotme edhe ambasadorit të Rusisë në Tiranë”, ka theksuar Hoxha.

Rusia u bëri thirrje banorëve të Kievit, përfshirë diplomatët dhe anëtarët e stafit të organizatave ndërkombëtare, të largohen nga qyteti “sa më shpejt të jetë e mundur” përpara asaj që e përshkroi si “sulme sistematike” ndaj objekteve të lidhura me industrinë ushtarake të Ukrainës.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë