Një memorandum i mundshëm mirëkuptimi (MoU) mes Iranit dhe ShBA-së përfshin përfundimin e luftës në të gjitha frontet, raportoi të dielën agjencia iraniane e lajmeve Tasnim.
Kjo përfshin edhe ndalimin e sulmeve izraelite në Liban, ndërsa Uashingtoni do të angazhohej gjithashtu për lehtësimin e sanksioneve ndaj naftës iraniane gjatë periudhës së negociatave.
Nëse marrëveshja arrihet, Ngushtica e Hormuzit nuk do të rikthehet plotësisht në gjendjen para luftës. Sipas Tasnim, numri i anijeve që do të lejohen të kalojnë do të rikthehet në nivelet para luftës brenda 30 ditëve.
Agjencia shtoi se Irani thekson zbatimin e të drejtave të tij sovrane mbi Ngushticën e Hormuzit përmes mjeteve të ndryshme, detajet e të cilave do të bëhen publike më vonë.
Ndërkohë, Teherani këmbëngul për të paktën një lirimin e pjesshëm të aseteve të tij të ngrira, ndërsa një marrëveshje e mundshme do të përfshinte gjithashtu një periudhë 60-ditore negociatash për programin bërthamor iranian.
Irani kërkon gjithashtu heqjen e bllokadës amerikane ndaj porteve të tij, duke argumentuar se nuk do të ketë ndryshime në Ngushticën e Hormuzit nëse bllokada mbetet në fuqi.
Sipas raportit, çdo ndryshim në lundrimin dhe tranzitin përmes kësaj rruge ujore strategjike do të varet gjithashtu nga zbatimi i angazhimeve të tjera të ShBA-së të përfshira në memorandumin e mirëkuptimit.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të shtunën se një marrëveshje me Iranin për t’i dhënë fund luftës ishte “kryesisht e negociuar” dhe priste vetëm finalizimin.
Përparimi në negociata erdhi pas vizitës në Teheran të shefit të ushtrisë pakistaneze Asim Munir, e dyta e tij brenda javëve të fundit.
Armëpushimi në luftën që nisi më 28 shkurt u ndërmjetësua fillimisht nga Pakistani më 8 prill.



















