Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi se forcat ukrainase kanë goditur një objekt nafte në rajonin rus të Jaroslavlit, të cilin e cilësoi si të rëndësishëm për rezervat e karburantit të Moskës.
Në një postim në rrjetin social X të dielën, Zelenskyy tha gjithashtu se Ukraina goditi uzinën kimike Azot në rajonin rus të Tulës, duke e përshkruar atë si një objekt kyç për prodhimin e lëndëve shpërthyese të Rusisë.
Ai shtoi se që nga mbrëmja e së shtunës janë vendosur kufizime të trafikut ajror në gjashtë aeroporte ruse, ndërsa alarmet ajrore janë shpallur në 28 rajone të Rusisë.
Sipas Zelenskyyt, forcat ukrainase kanë goditur edhe objektiva të logjistikës ushtarake në territoret ukrainase të kontrolluara nga Rusia.
“Ukraina po zbaton planin e saj të sanksioneve me rreze të gjatë veprimi ndaj Rusisë dhe detyrat e caktuara për goditjet me rreze të mesme, si përgjigje ndaj refuzimit të Rusisë për t’i dhënë fund kësaj lufte”, tha ai.
Zelenskyy shtoi se Kievi i ka ofruar Moskës “çdo format të mundshëm negociatash”, por se përgjigjja e Rusisë ka qenë “vazhdimi i agresionit dhe përpjekjet për ta zgjeruar atë”.
“Është logjike që lufta po kthehet aty ku ka nisur”, tha ai.
Sulm ‘masiv’ me dronë
Ndërkaq, Zelenskyy akuzoi Rusinë se gjatë javës së fundit ka lëshuar 1.920 dronë sulmues, 1.790 bomba ajrore të drejtuara dhe 17 raketa të llojeve të ndryshme kundër Ukrainës.
Ndërkohë, autoritetet ruse njoftuan se depozita industriale karburanti u goditën gjatë një sulmi “masiv” me dronë ukrainas në rajonin e Jaroslavlit.
Guvernatori i rajonit, Mikhail Evraev, tha në rrjetin social rus Max se trafiku drejt Moskës është ndërprerë, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë për shuarjen e një zjarri.
Nga ana tjetër, guvernatori i Tulës, Dmitry Milyaev, tha në Telegram se mbetjet e dronëve ukrainas të rrëzuar ranë në territorin e një ndërmarrjeje industriale në qytetin Novomoskovsk gjatë përpjekjeve për ta zmbrapsur sulmin.
“Shërbimet emergjente janë angazhuar në terren dhe po vlerësohet natyra e dëmeve”, shkroi ai.
Sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike ruse janë intensifikuar muajt e fundit. Në fillim të qershorit, Zelenskyy deklaroi se forcat ukrainase goditën 15 rafineri nafte ruse nga janari deri në maj dhe pretendoi se afro 40 për qind e kapacitetit kryesor të përpunimit të naftës në Rusi ishte jashtë funksionit deri në muajin maj.















