| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Türkiye zbulon prototipe të reja të avionit luftarak vendas KAAN
Kreu i Industrive të Mbrojtjes thekson se vendi vazhdon përgatitjet për testim dhe prodhim të KAAN.
Türkiye zbulon prototipe të reja të avionit luftarak vendas KAAN
Türkiye zbulon prototipe të reja të avionit luftarak vendas KAAN / AA
2 orë më parë

Prototipe të reja të avionit luftarak vendas KAAN, i cili do t’i nënshtrohet testeve gjatë procesit të zhvillimit të udhëhequr nga Turkish Aerospace Industries (TAI), janë prezantuar për herë të parë.

Kreu i Sekretariatit të Industrive të Mbrojtjes të Türkiyes, Haluk Gorgun, vizitoi të premten hangarin e KAAN për t’u informuar mbi zhvillimet më të fundit.

Gorgun theksoi se prezantimi i avionit të dedikuar për testime statike në përmasa të plota, së bashku me prototipet e parë dhe të dytë për fluturim, përfaqëson një arritje të rëndësishme teknike.

Zyrtari theksoi se KAAN shkon përtej të qenit thjesht një avion, duke e cilësuar si simbol të aftësive inxhinierike dhe kapaciteteve të pavarura mbrojtëse të Türkiyes.

Objektivi kryesor i projektit është zhvillimi vendas i një avioni luftarak të gjeneratës së ardhshme, i cili do t’i shërbejë Forcave Ajrore Turke për shumë vite.

KAAN-i do të ketë kapacitete të avancuara si dukshmëri e ulët (stealth), ndarje të brendshme për armatim, ndërgjegjësim të përmirësuar situacional dhe integrim të sensorëve (sensor fusion), për performancë superiore si në misionet ajër-ajër ashtu edhe ajër-tokë.

Pas fluturimit të parë të prototipit fillestar në vitin 2024, proceset e zhvillimit dhe prodhimit po vijojnë pa ndërprerje, ndërsa paralelisht po avancohen edhe kapacitetet operative për avionë luftarakë me pilot dhe pa pilot.

Gorgun shpjegoi se KAAN-i po forcon vazhdimisht infrastrukturën e mbrojtjes dhe aviacionit të vendit, duke e ngritur Türkiyen në një ligë elitare të aktorëve globalë, veçanërisht përmes zhvillimit të motorit vendas.

Programi strategjik shërben gjithashtu si katalizator që forcon njëkohësisht infrastrukturën, burimet njerëzore dhe akumulimin teknologjik të vendit, shtoi ai.

Autoritetet po realizojnë me ritme të shpejta përgatitjet për prodhimin masiv paralelisht me fazat aktuale të testimit, si pjesë e këtij projekti kritik teknologjik.

Zinxhiri vendas i furnizimit për KAAN-in aktualisht përfshin më shumë se 5.000 punonjës në mbi 300 kompani në më shumë se 20 qytete, bëri të ditur Gorgun.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë