Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka bërë të ditur se zv/presidenti JD Vance do t’i hetojë mashtrimet e pretenduara në shtetet e drejtuara nga demokratët, në rolin e tij të ri si “car i hetimeve të mashtrimit”.
“Zv/presidenti JD Vance tani është në krye të mashtrimit në ShBA”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, duke shtuar: “Fokusi i tij do të jetë kudo, por kryesisht në ato shtete blu (demokrate)”.
Ai pretendoi se shtete si Kalifornia, Ilinoi, Minesota, Maine, Nju Jorku dhe shumë të tjera “kanë pasur një liri totale në vjedhjen e paprecedentë të parave të taksapaguesve”.
Presidenti amerikan tha se “kontrollet tashmë kanë filluar” në Los Anxhelos, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Muajin e kaluar, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për krijimin e një task-force kombëtare, të udhëhequr nga zv/presidenti Vance, për t’i mbështetur pretendimet e presidentit se fondet federale të destinuara për programet e mirëqenies sociale po keqpërdoren në disa shtete.
Kritikët e Trumpit thonë se mashtrimi është i përhapur në administratën e tij, duke e përmendur punësimin e të afërmve me konflikt interesi si këshilltarë dhe miratimin e marrëveshjeve të bashkimeve vetëm për biznesmenë të lidhur politikisht me presidentin.
Ata gjithashtu thonë se ndjekja e rasteve të mundshme të mashtrimit vetëm në shtetet e drejtuara nga demokratët injoron mashtrimet në shtetet republikane dhe për këtë arsye është e motivuar politikisht.























