Deklarata e përbashkët u nënshkrua nga ministrat e Jashtëm të Türkiyes, Algjerisë, Bangladeshit, Xhibutit, Egjiptit, Indonezisë, Jordanisë, Kuvajtit, Libanit, Mauritanisë, Omanit, Pakistanit, Palestinës, Katarit, Arabisë Saudite, Somalisë, Sudanit dhe Jemenit.
“Ministrat dënojnë në termat më të ashpër hapin e paligjshëm dhe të papranueshëm të ndërmarrë nga i ashtuquajturi rajon i ‘Somalilandit’ për hapjen e një ‘ambasade’ në Jeruzalemin e pushtuar”, thuhet në deklaratë.
Sipas saj, ky veprim përbën një “shkelje flagrante” të së drejtës ndërkombëtare dhe të rezolutave përkatëse ndërkombëtare, si dhe një cenim të drejtpërdrejtë të statusit ligjor dhe historik të Jeruzalemit të pushtuar.
Ministrat ritheksuan gjithashtu “kundërshtimin kategorik” ndaj çdo mase të njëanshme që synon të konsolidojë një realitet të paligjshëm në Jeruzalemin e pushtuar ose t’u japë legjitimitet entiteteve apo marrëveshjeve që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat përkatëse të OKB-së.
Deklarata përsëriti se Jeruzalemi Lindor është territor palestinez i pushtuar që nga viti 1967, duke theksuar se çdo masë që synon ndryshimin e statusit të tij ligjor dhe historik është “e pavlefshme dhe pa efekt juridik”.
Ministrat shprehën mbështetjen e plotë për unitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Somalisë, duke kundërshtuar çdo veprim të njëanshëm që cenon unitetin territorial të vendit ose shkel sovranitetin e tij.



















