Çdo individ apo anije e përfshirë në lehtësimin e rrjeteve financiare ose të tregtisë së naftës së Iranit mund të përballet me sanksione nga ShBA-ja, paralajmëroi të martën Sekretari i Thesarit amerikan.
ShBA-ja do të vazhdojë bllokadën detare të porteve iraniane, ndërsa rrit presionin financiar me synimin për të paralizuar ekonominë e vendit të bazuar në naftë, tha Scott Bessent.
“Brenda pak ditësh, magazinimi në ishullin Kharg do të mbushet dhe puset e brishta të naftës në Iran do të mbyllen. Kufizimi i tregtisë detare të Iranit godet drejtpërdrejt burimet kryesore të të ardhurave të regjimit”, shkroi ai në X.
Ai shtoi se departamenti i tij do të vazhdojë të zbatojë atë që e quajti një fushatë “presioni maksimal” për të ndërprerë aftësinë e Iranit për të gjeneruar, transferuar dhe riatdhesuar fonde.
“Çdo person apo anije që lehtëson këto rrjedha, përmes tregtisë dhe financave të fshehta, rrezikon të përballet me sanksione nga ShBA-ja. Ne vazhdojmë të ngrijmë fondet e vjedhura nga udhëheqja e korruptuar në emër të popullit iranian”, shkroi ai.
Çmimet e naftës të martën shënuan një seancë jashtëzakonisht të paqëndrueshme, pasi Presidenti Donald Trump njoftoi se armëpushimi dyjavor me Iranin do të zgjatet, ndërsa Uashingtoni mban në fuqi bllokadën detare.











