| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Kryediplomati rus: Lojëra të rrezikshme po zhvillohen lidhur me Tajvanin dhe Detin e Kinës Jugore
Lavrov pretendon se Perëndimi po përpiqet të “shpërbëjë” hapësirën e përqendruar te ASEAN-i përmes “strukturave të vogla, të ngjashme me blloqe”.
Kryediplomati rus: Lojëra të rrezikshme po zhvillohen lidhur me Tajvanin dhe Detin e Kinës Jugore
Kryediplomati rus: Lojëra të rrezikshme po zhvillohen lidhur me Tajvanin dhe Detin e Kinës Jugore / AA
5 orë më parë

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Llavrov, tha gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi, se po zhvillohen “lojëra të rrezikshme” lidhur me Tajvanin dhe Detin e Kinës Jugore.

Në fjalën e tij hyrëse gjatë takimit me homologun kinez në Pekin, Llavrov tha se pajtohet me vlerësimin e homologut Wang se “themelet e marrëdhënieve ndërkombëtare po vihen seriozisht në provë sot”, duke iu referuar zhvillimeve të këtij viti në Venezuelë si dhe ngjarjeve në Lindjen e Mesme dhe situatës rreth Ukrainës.

Ai pretendon se lufta Rusi-Ukrainë po shfrytëzohet, kryesisht nga vendet evropiane, për të “hartuar plane për krijimin e një blloku të ri agresiv në perëndim të kontinentit euroaziatik”, që do të përfshinte Kievin, me qëllim përdorimin e këtij blloku kundër Rusisë.

“Në pjesën lindore të kontinentit euroaziatik, gjithashtu po vazhdojnë lojëra të rrezikshme: si në çështjen e Tajvanit ashtu edhe në atë të Detit të Kinës Jugore ndërsa situata në Gadishullin Korean po përshkallëzohet”, tha më tej Llavrov.

Ai akuzoi Perëndimin se po përpiqet ta “shpërbëjë” atë që e përshkroi si hapësirë të përqendruar te ASEAN-i, duke krijuar “struktura të vogla, të ngjashme me blloqe” të dizajnuara për të frenuar si Moskën ashtu edhe Pekinin.

“I gjithë kontinenti ynë i gjerë kërkon vëmendje të vazhdueshme”, shtoi Llavrov duke e shprehur besimin se ai dhe Wang do të mund t'i diskutojnë në detaje hapat praktikë në përputhje me iniciativat e paraqitura nga presidentët e tyre.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë