| Albanian
RAJONI
1 minuta leximi
Kosova do të rindërtojë Xhaminë e Ibrit, monument i shkatërruar gjatë luftës
Kurti njoftoi se është nënshkruar marrëveshje për rikonstruktimin e Xhamisë së Ibrit, si edhe një memorandum tjetër bashkëpunimi me Bashkësinë Islame të Kosovës, që synon forcimin e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore islame.
Kosova do të rindërtojë Xhaminë e Ibrit, monument i shkatërruar gjatë luftës
Kosova do të rindërtojë Xhaminë e Ibrit, monument i shkatërruar gjatë luftës / FB/Albin Kurti

Kosova do të rindërtojë Xhaminë e Ibrit në veri të Mitrovicës, një monument i rëndësishëm i ndërtuar në vitin 1777 dhe i djegur më 2 maj 1999 gjatë luftës.

Marrëveshja e bashkëpunimit për hartimin dhe zbatimin e projektit të rikonstruktimit u nënshkrua në prani të Myftiut të Kosovës, Naim Tërnava, kryeimamit Vedat Sahiti dhe ministres Saranda Bogujevci.

“Me këtë memorandum, Qeveria e Kosovës mbështet ringritjen e xhamisë”, shkroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim në Facebook, duke e cilësuar xhaminë si monument me rëndësi historike dhe kulturore të vendit.

Në vijim u nënshkrua edhe një memorandum tjetër bashkëpunimi me Bashkësinë Islame të Kosovës, që synon forcimin e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore islame.

Kurti theksoi se këto angazhime janë pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm të qeverisë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, duke vënë theksin te dëmet e shkaktuara gjatë luftës së viteve 1998–1999.

Sipas tij, investimet në këtë fushë do të vijojnë edhe në vitet e ardhshme.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë