Princi i kurorës së Arabia Saudite, Mohammed bin Salman, i ka bërë thirrje presidentit amerikan Donald Trump që ta vazhdojë luftën kundër Iranit, raportoi të martën The New York Times.
Sipas raportit, që citon burime të informuara nga zyrtarë amerikanë mbi bisedat, bin Salman e sheh situatën si një “mundësi historike” për ta riformësuar Lindjen e Mesme.
Burimet thanë se princi i ka përcjellë Trumpit se duhet të vazhdojë drejt shkatërrimit të qeverisë “të vijës së ashpër” në Iran.
Sipas të njëjtit raport, ai gjithashtu ka argumentuar se Irani përbën një kërcënim afatgjatë për vendet e Gjirit dhe se ky kërcënim mund të eliminohet vetëm përmes rrëzimit të qeverisë aktuale.
Ndërkohë, sipas raportit, zyrtarët sauditë kanë hedhur poshtë pretendimet se princi ka kërkuar zgjatjen e luftës.
“Mbretëria e Arabisë Saudite gjithmonë ka mbështetur një zgjidhje paqësore të këtij konflikti, edhe para se ai të fillonte,” thuhet në një deklaratë të qeverisë saudite, duke shtuar se zyrtarët “mbeten në kontakt të ngushtë me administratën Trump dhe angazhimi ynë mbetet i pandryshuar.”
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që nga 28 shkurti, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nisën një sulm të përbashkët ndaj Iranit, i cili ka shkaktuar më shumë se 1,300 viktima, përfshirë edhe ish-udhëheqësin suprem Ali Khamenei.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa, duke e shënjestruar Izraelin dhe vendet e Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane.



















