Presidenti amerikan, Donald Trump, ka mbajtur një ton optimist lidhur me mundësinë e rifillimit të bisedimeve të drejtpërdrejta ShBA-Iran, duke theksuar se ato mund të rinisin në Pakistan brenda dy ditëve të ardhshme.
“Duhet të qëndroni atje, me të vërtetë, sepse diçka mund të ndodhë në dy ditët e ardhshme dhe ne jemi më të prirur të shkojmë atje”, tha Trump gjatë një interviste telefonike për gazetarin e New York Post që ndodhet në Islamabad.
“Është më e mundshme, e dini pse? Sepse shefi ushtarak po bën një punë të shkëlqyer”, shtoi ai.
Trump i referohej komandantit pakistanez, Asim Munir, me të cilin ai tha se ka krijuar një marrëdhënie të fortë gjatë përpjekjeve për të ndërmjetësuar përfundimin e konfliktit Pakistan-Indi të vitit 2025.
“Ai është fantastik dhe për këtë arsye është më e mundshme që të kthehemi atje”, tha Trump, duke shtuar: “Pse duhet të shkojmë në një vend që nuk ka lidhje me këtë?”.
Rreth një orë para këtyre deklaratave, Trump kishte lënë të kuptohej se mundësia e mbajtjes së takimit në Pakistan ishte e pasigurt, duke deklaruar: “Nuk mendoj se do të jetë aty ku do ta kemi takimin. Ndoshta do të shkojmë në një vend tjetër. Kemi një vend tjetër në mendje”.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë gjithashtu konfirmoi se bisedime shtesë me Iranin mbeten në shqyrtim, përpara skadimit të mundshëm të një armëpushimi afatshkurtër javën e ardhshme.
“Bisedimet e ardhshme janë në diskutim, por ende nuk është caktuar asgjë”, tha zyrtari.
Lufta mes ShBA-së dhe Izraelit me Iranin ka rritur ndjeshëm çmimet globale të naftës, ndërsa Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon 20 për qind e naftës botërore, mbetet nën kontrollin e Iranit.
Në mes të ngërçit të negociatave, Trump ka paralajmëruar për bllokadë të rrugës ujore për të detyruar Iranin të rikthehet në tryezën e bisedimeve. Ai gjithashtu ka kritikuar vendet evropiane për mungesë përfshirjeje në përpjekjet për rihapjen e ngushticës.


















