Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Athinë, ku është takuar me kreun e Parlamentit të Greqisë, Nikitas Kaklamanis, ndërkohë në fokus ishin marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe integrimi evropian.
Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se vizita u realizua me ftesë të kryeparlamentarit Kaklamanis, në vijim të turit të diplomacisë parlamentare dhe kontakteve "me partnerët strategjikë të Shqipërisë në rajon dhe Evropë".
Sipas Kuvendit, Shqipëria dhe Greqia "konfirmojnë angazhimin për forcimin e bashkëpunimit për sigurinë, stabilitetin rajonal dhe paqen".
"Gjatë takimit, dy kryetarët e parlamenteve vlerësuan marrëdhëniet e ngushta miqësore mes Shqipërisë dhe Greqisë, të mbështetura në interesat e përbashkëta strategjike, partneritetin në NATO për sigurinë dhe paqen, si dhe perspektivën e përbashkët evropiane. Ata nënvizuan rëndësinë e thellimit të dialogut politik dhe parlamentar në interes të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve", thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Peleshi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe vlerësoi progresin e arritur në negociatat me Bashkimin Evropian, "duke ritheksuar objektivin për përfundimin e tyre brenda vitit 2027".
Në njoftim thuhet se Kaklamanis rikonfirmoi mbështetjen e vendit të tij për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe theksoi se zgjerimi i bashkëpunimit parlamentar krijon mundësi të reja për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gjithashtu thuhet se një vëmendje e veçantë iu kushtua komunitetit të emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe minoritetit grek në Shqipëri, "të cilët përbëjnë ura të rëndësishme lidhëse mes dy vendeve dhe dy popujve".
"Në takim u theksua gjithashtu rëndësia e trajtimit me dialog dhe frymë konstruktive të të gjitha çështjeve me interes të ndërsjellë, në respekt të parimeve të fqinjësisë së mirë, së drejtës ndërkombëtare dhe interesave strategjike të përbashkëta. Duke riafirmuar vullnetin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore dhe partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Greqisë, të dy kryetarët vlerësuan bashkëpunimin parlamentar si një instrument të rëndësishëm për nxitjen e bashkëpunimit të gjithanshëm dypalësh, forcimin e sigurisë, stabilitetit rajonal dhe promovimin e paqes", thekson njoftimi.























