Duke përmendur ekzistencën e “spastrimit etnik të palestinezëve”, sekretari i Jashtëm britanik, Ed Miliband ka bërë të ditur se vendi i tij do të vendosë ndalim tregtar ndaj mallrave nga vendbanimet e paligjshme në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Në një deklaratë para ligjvënësve në Dhomën e Komunave, Miliband tha se dita e sotme shënon “fillimin e një qasjeje të re” ndaj Izraelit, duke njoftuar se Mbretëria e Bashkuar do të vendosë ndalim të importit të mallrave nga vendbanimet e paligjshme.
Ai tha se masat e sotme “përfaqësojnë një mesazh të qartë” si për qeverinë izraelite, ashtu edhe për palestinezët se “nuk do të pajtohemi me shkatërrimin e zgjidhjes me dy shtete”, tha ai.
Përveç politikës zyrtare shtetërore të Izraelit, theksoi Miliband, “terrorizmi i kolonëve është i përhapur”. Ai shtoi se Mbretëria e Bashkuar do të vendosë sanksione ndaj një grupi tjetër kolonësh ekstremistë në Bregun Perëndimor, “të cilët kanë mbështetur ose nxitur akte dhune” kundër palestinezëve.
Miliband theksoi se ata që financojnë ose lehtësojnë vendbanimet e paligjshme në Bregun Perëndimor “do të përballen me fuqinë e plotë të sanksioneve të Mbretërisë së Bashkuar”.
Më tej, ai tha se Mbretëria e Bashkuar do të ndërmarrë masa kundër “kompanive dhe individëve të caktuar” që ofrojnë shërbime dhe financim për zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme izraelite.
Miliband tha se qeveria britanike pajtohet se në Bregun Perëndimor të pushtuar po ndodh “spastrim etnik i palestinezëve”, i kryer nga “kolonët terroristë” izraelitë.
Gjatë fjalimit të tij, ai gjithashtu konfirmoi se pezullimi ekzistues britanik i 30 licencave për eksportin e armëve drejt Izraelit do të mbetet “plotësisht në fuqi”.






















