| Albanian
LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Sulmet izraelite vrasin 3 palestinezë në Gaza, numri i të vdekurve arrin në 72.300
Pavarësisht një armëpushimi në fuqi që nga 10 tetori 2025, forcat izraelite kanë vazhduar ta shkelin marrëveshjen me granatime.
Sulmet izraelite vrasin 3 palestinezë në Gaza, numri i të vdekurve arrin në 72.300
Sulmet izraelite vrasin 3 palestinezë në Gaza, numri i të vdekurve arrin në 72.300 / AA
10 orë më parë

Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha të martën se tre palestinezë u vranë nga zjarri i ushtrisë izraelite gjatë 24 orëve të fundit, duke shënuar një shkelje të re të një armëpushimi të brishtë në fuqi që nga tetori i kaluar.

Në përditësimin e saj të përditshëm, ministria tha se spitalet morën tri viktima të reja dhe 11 të plagosur, pa dhënë detaje mbi rrethanat e viktimave.

Ministria tha se vdekjet e reja e çuan numrin e të vdekurve që nga 8 tetori 2023 në 72.336 dhe 172.213 të tjerë të plagosur.

Pavarësisht një armëpushimi në fuqi që nga 10 tetori 2025, forcat izraelite kanë vazhduar ta shkelin marrëveshjen me granatime, të shtëna me armë zjarri dhe ndërhyrje, sipas zyrës së medias së qeverisë së Gazës.

Të paktën 757 persona janë vrarë dhe 2.111 të tjerë janë plagosur që nga armëpushimi, sipas autoriteteve shëndetësore.

Shkeljet kanë vazhduar edhe pasi ShBA-ja njoftoi në mesin e janarit fillimin e fazës së dytë të marrëveshjes, mes thirrjeve për të siguruar që Izraeli ta respektojë armëpushimin dhe ta lejojë hyrjen e ndihmës humanitare të dakordësuar, duke përfshirë ushqim, furnizime mjekësore dhe materiale strehimi.

OKB-ja ka vlerësuar se rreth 90 për qind e infrastrukturës civile të Gazës është dëmtuar ose shkatërruar nga lufta izraelite, me kostot e rindërtimit të parashikuara në rreth 70 miliardë dollarë.