Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar në Bruksel se Kosova kërkon trajtim të barabartë dhe të drejtë nga Bashkimi Evropian (BE) dhe, sipas tij, është e gatshme të ecë përpara në procesin e integrimit mbi bazë të meritës.
Konjufca, para takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor, theksoi se ky proces duhet të nënkuptojë marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
“Ne duam të kemi një trajtim të barabartë dhe të drejtë nga BE-ja. Ne, si Kosovë, jemi gati të lëvizim dhe të avancojmë brenda këtij kuadri të procesit, bazuar në merita. Në të njëjtën kohë, ajo që mendojmë se çfarë do të thotë në të vërtetë ky proces, bazuar në merita, është që Kosova të ketë statusin e vendit kandidat dhe të nisë negociatat për anëtarësim në BE”, theksoi Konjufca, duke nënvizuar se hapi i parë i këtij procesi është pyetësori i BE-së.
Lidhur me procesin e dialogut të Kosovës me Serbinë, Konjufca theksoi se Kosova gjithmonë ka qenë dhe do të jetë konstruktive, por, sipas tij, dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë.
I pyetur për sigurinë rajonale, ministri Konjufca tha se ajo që në të vërtetë po minon arkitekturën e sigurisë së Ballkanit Perëndimor, por edhe të gjithë Evropës, është “ndikimi i keq i Rusisë në rajonin tonë”.
“Prandaj mendoj se një Bashkim Evropian i bashkuar dhe i zgjeruar duhet të shihet gjithmonë nga perspektiva e nevojës strategjike”, shtoi Konjufca.






















