| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Qeveria e Kosovës miraton projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se për këtë ligj janë analizuar e studiuar praktikat më të mira ndërkombëtare dhe janë marrë parasysh rrethanat ekonomike e sociale në Kosovë.
Qeveria e Kosovës miraton projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor
Qeveria e Kosovës miraton projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor / TRT Balkan
2 orë më parë

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, përmes të cilit rregullohet sistemi i sigurimit të kujdesit shëndetësor të detyrueshëm. 

Ky projektligj përfshinë parimet, funksionet, të drejtat dhe përgjegjësitë e palëve të përfshira, personat e siguruar, modalitetet e kontributit, pakoja e përfitimeve që mbulohet nga sigurimi shëndetësor i detyrueshëm, marrëdhëniet kontraktuale me institucionet e kujdesit shëndetësor dhe barnatoret, në lidhje me ofrimin, përdorimin dhe pagesën e shërbimeve shëndetësore dhe produkteve të dispenzuara.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se me këtë projektligj themelohet Fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor i Republikës së Kosovës si dhe rregullohet funksionimi dhe financimi i Fondit të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor të Republikës së Kosovës.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se për këtë ligj janë analizuar e studiuar praktikat më të mira ndërkombëtare dhe janë marrë parasysh gjithashtu rrethanat ekonomike e sociale në Kosovë.

"Sot kaloi në Qeveri, për t’u proceduar sa më shpejt në Kuvendin e Republikës. Është analizuar e studiuar, janë studiuar praktikat më të mira ndërkombëtare, por duke marrë parasysh edhe realitetin tonë ekonomik e social. Jam i lumtur që pas një dekade ky ligj po e merr formën e vetë, të rrugëtimit të tij në Parlament, me shpresën që të miratohet sa më shpejt", ka thënë Vitia.

Ai ka thënë se ky ligj përfshin gjithë popullatën dhe synimi është një qasje universale për ofrimin e shërbimeve themelore shëndetësore por edhe në ngritjen e cilësisë së shërbimeve. Vitia shtoi se me këtë ligj do të përshpejtohet arritja e mbulimit shëndetësor universal, që të përmirësohet mirëqenia dhe shëndeti, duke zvogëluar varfërinë dhe pabarazinë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë