Marina Mbretërore e Mbretërisë së Bashkuar po përgatitet të marrë një rol udhëheqës në operacionet e mundshme të koalicionit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Sipas një raporti të publikuar nga gazeta “The Times”, zyrtarët britanikë të mbrojtjes po shqyrtojnë plane për të dislokuar një anije të Marinës Mbretërore ose një anije komerciale të marrë me qira për të shërbyer si “anije amë” për sisteme autonome pa ekuipazh, të dizajnuara për të zbuluar dhe neutralizuar minat detare në këtë rrugë ujore strategjike.
Nisma do të jetë pjesë e një përpjekjeje shumëkombëshe më të gjerë që përfshin aleatë, të tillë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca, për të siguruar kalimin e sigurt të anijeve tregtare nëpër këtë ngushticë, e cila është një nga rrugët ujore më kritike të transportit në botë.
Zyrtarët e cituar nga “The Times” thanë se operacioni mund të zhvillohet në disa faza.
Etapa fillestare do të përqendrohet në kërkimin e minave përmes sistemeve autonome të avancuara që lëshohen nga anija amë, ndërsa faza e dytë mund të përfshijë dislokimin e mjeteve sipërfaqësore pa ekuipazh së bashku me shkatërruesit e Marinës Mbretërore të tipit “45”, ose vetëm këta shkatërrues, për të mbrojtur tankerët që kalojnë në zonë.
“Kemi kapacitete të nivelit botëror për kërkimin autonom të minave, kapacitete të shkëlqyera me shkatërruesit tanë të tipit «45», si dhe zhvillimin e konceptit të marinës hibride, që na jep mundësi të shmangim vendosjen e personelit në rrezik, për të ndihmuar në sigurimin e ngushticës”, tha një zyrtar.
Autoritetet britanike të mbrojtjes besojnë se në Ngushticën e Hormuzit janë vendosur mina detare, edhe pse ende ekziston “një rrugë e qartë”, pasi anije nga India, Pakistani dhe Kina kanë vazhduar të kalojnë nëpër këtë rrugë ujore.



















