Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, u prit në një takim nga ministri irlandez të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen, Thomas Byrne, me të cilin diskutoi progresin e Shqipërisë dhe perspektivën e saj në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Hoxha bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale, se e informoi ministrin irlandez mbi rezultatet e arritura përmes agjendës së reformave dhe ecurinë e negociatave me BE-në.
Ministri shqiptar riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për të ruajtur ritmin e procesit të negociatave, me synimin për t’i përfunduar ato deri në vitin 2027 dhe për t’u bërë pjesë e bllokut deri në vitin 2030.
Gjatë takimit, palët theksuan rëndësinë e ruajtjes së një procesi zgjerimi të besueshëm dhe të bazuar në meritë, që shpërblen progresin dhe sjell përfitime konkrete si për vendet kandidate, ashtu edhe për vetë Bashkimin Evropian.
“Në mjedisin gjeopolitik të sotëm, zgjerimi nuk është vetëm një politikë transformuese, por edhe një investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e Evropës”, tha Hoxha.
Kryediplomati shqiptar shprehu vlerësimin e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës ndaj zgjerimit të BE-së dhe i uroi sukses Presidencës së ardhshme irlandeze të Këshillit të Bashkimit Evropian.






















