| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Maqedonia e Veriut dhe Kazakistani të gatshëm për avancimin e marrëdhënieve bilaterale
Mucunski tha se kjo vizitë është një sinjal i qartë për gatishmërinë e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe avancimin e marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale.
Maqedonia e Veriut dhe Kazakistani të gatshëm për avancimin e marrëdhënieve bilaterale
Maqedonia e Veriut dhe Kazakistani të gatshëm për avancimin e marrëdhënieve bilaterale / AA
2 orë më parë

Maqedonia e Veriut dhe Kazakistani janë të gatshëm për avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski u takua me ministrin e Tregtisë dhe Integrimit të Kazakistanit, Arman Shakaliev, në kuadër të vizitës së tij në vend.

Pas takimit, ministrat Mucunski dhe Shakaliev mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Mucunski tha se kjo vizitë është një sinjal i qartë për gatishmërinë e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe avancimin e marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale.

"Në bisedime, konstatuam hapur se niveli aktual i shkëmbimit ekonomik nuk e pasqyron potencialin real ndërmjet dy vendeve. Por, gjithashtu u pajtuam se ekzistojnë mundësi konkrete dhe të arritshme që këtë hendek ta mbyllim në periudhën që vjen", tha Mucunski.

Ai tha se është i bindur se forumi i dytë i biznesit maqedono-kazak në Shkup si dhe nënshkrimi i dy dokumenteve të rëndësishme, do të japin një impuls të ri për bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve të biznesit dhe do të kontribuojnë në rritjen e shkëmbimit tregtar.

Mucunski shtoi se mbeten të hapur për investitorët nga Kazakistani, si në zonat teknologjike-industriale zhvillimore, ashtu edhe më gjerë në përputhje me interesat e tyre investuese.

Kazakistani dhe Maqedonia e Veriut vazhdojnë të forcojnë vazhdimisht marrëdhëniet bilaterale

Nga ana tjetër, Shakaliev theksoi se Kazakistani dhe Maqedonia e Veriut vazhdojnë të forcojnë vazhdimisht marrëdhëniet bilaterale, duke vënë theks të veçantë në zhvillimin e bashkëpunimit tregtar dhe investues.

"Qëllimi ynë kryesor është të rrisim tregtinë bilaterale, të zgjerojmë kontaktet e biznesit dhe të vendosim fusha konkrete bashkëpunimi. Kazakistani po zhvillon në mënyrë aktive sektorin e tij të transportit dhe logjistikës, po ndërton rrugë të qëndrueshme midis Azisë dhe Evropës dhe rol kyç në këtë proces luan Korridori i Mesëm, përkatësisht Rruga Ndërkombëtare e Transportit Trans-Kaspik, e cila po formëson konfigurimin e ri të tregtisë euroaziatike", tha ai.

Në këtë kontekst, ai vlerësoi se Maqedonia e Veriut shihet si një lidhje premtuese në rrugën evropiane, vendndodhja e saj gjeografike dhe integrimi në rrjetet e transportit ballkanik krijojnë mundësi shtesë për krijimin e zinxhirëve të qëndrueshëm logjistikë dhe për plasimin e produkteve kazake në tregun e Evropës Juglindore.

Shakaliev tha se një nga hapat praktikë kyç do të jetë krijimi i një këshilli biznesi, i cili do të lehtësojë ndërveprimin e drejtpërdrejtë ndërmjet komuniteteve të biznesit nga të dy vendet dhe do të mundësojë zhvillim të shpejtë të projekteve të përbashkëta.

Ministri kazak Shakaliev udhëheq delegacionin e biznesmenëve, i cili do të marrë pjesë në një forum biznesi me përfaqësues të komunitetit të biznesit maqedonas.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë