Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë thirrje për veprime vendimtare globale për përballimin e krizës klimatike, duke kërkuar që vendet e zhvilluara të marrin përgjegjësi më të madhe për reduktimin e emetimeve dhe sigurimin e financimit për klimën, raporton Anadolu.
Duke folur në Forumin e Biznesit COP31, në qytetin jugor të Türkiyes, Antalya, Erdoğan tha se përmasat alarmante të krizës klimatike kërkojnë veprime të vendosura në mbarë botën.
“Vendet e zhvilluara, të cilat e kanë shteruar buxhetin global të karbonit, duhet të marrin përgjegjësi më të madhe për reduktimin e emetimeve dhe financimin”, tha ai.
Erdoğan theksoi se e drejta e vendeve në zhvillim për zhvillim duhet të mbrohet dhe se komunitetet që e mbajnë barrën më të rëndë të krizës klimatike duhet të marrin mbështetje të fuqishme.
Ai paralajmëroi kundër vendeve që u japin përparësi interesave të tyre në kurriz të veprimit të përbashkët, duke theksuar se një qasje e tillë do të sillte sfida më të mëdha dhe fatkeqësi shumë më shkatërruese.
“Nëse veprojmë me mentalitetin ‘secili për vete’, do t’i hapim rrugën vështirësive shumë më të mëdha dhe fatkeqësive shumë më shkatërruese”, tha ai.
Presidenti turk gjithashtu paralajmëroi kundër përsëritjes së gabimeve të së kaluarës, duke sakrifikuar mbrojtjen e mjedisit për interesa ekonomike.
“Gabimet e bëra 50 apo 100 vjet më parë tani po shfaqen një nga një. Nëse i përsërisim të njëjtat gabime sot dhe sakrifikojmë ekologjinë për ekonominë, çmimin do ta paguajnë fëmijët tanë”, tha ai.
Erdoğan tha se Türkiye po e ndjek me vendosmëri agjendën e saj për zhvillim të gjelbër, duke ristrukturuar sektorë të ndryshëm, nga energjia dhe industria deri te transporti, bujqësia dhe ndërtimtaria.
Ai theksoi se qeveritë nuk mund ta përballojnë të vetme luftën globale kundër ndryshimeve klimatike, duke u bërë thirrje bizneseve të marrin përgjegjësi më të madhe.
Erdoğan tha se Türkiye synon ta forcojë konkurrueshmërinë e industrisë së saj, ndërkohë që lufton ndryshimet klimatike, duke u zotuar se do të vazhdojë të mbështesë investimet në energjinë e ripërtëritshme, përfshirë energjinë e erës, atë diellore dhe hidroenergjinë.
Ai pranoi se rritja e çmimeve të energjisë po ndikon në Türkiye, ashtu si edhe në vendet e tjera, por theksoi se Ankaraja nuk do të heqë dorë nga rritja ekonomike, zhvillimi apo investimet që e synojnë përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
Duke iu referuar zhvillimeve rajonale, Erdoğan tha se Türkiye ka riafirmuar pozicionin e saj si një ishull stabiliteti dhe sigurie, ndërsa besimi i investitorëve dhe institucioneve ndërkombëtare ndaj vendit vazhdon të rritet.
“Po e mbajmë vendin tonë larg konflikteve dhe po punojmë sinqerisht për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë”, tha ai.
“Türkiye është një vend që di t’i shndërrojë ëndrrat në synime dhe synimet në realitet”, shtoi ai.















