Irani ka vendosur një afat njëmujor për negociatat mbi një marrëveshje që synon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, përfundimin e bllokadës detare të ShBA-së dhe një fund të përhershëm të luftës në Iran dhe Liban, sipas një raporti të publikuar të shtunën nga Axios.
Teherani i paraqiti Uashingtonit të enjten një propozim të rishikuar me 14 pika për një marrëveshje kornizë.
Dy burime të informuara mbi dokumentin thanë se Irani parashikon një afat strikt njëmujor për arritjen e një marrëveshjeje që përfshin qasjen detare, përfundimin e bllokadës detare të ShBA-së dhe një armëpushim të qëndrueshëm në të dy frontet.
“Nëse sillen keq, nëse bëjnë diçka të gabuar, por për momentin do të shohim. Është një mundësi që mund të ndodhë, sigurisht”, u tha gazetarëve të shtunën presidenti amerikan Donald Trump, kur u pyet nëse mund të urdhërojë sulme të reja.
Propozimi parashikon një fazë të dytë vetëm pasi të arrihet një marrëveshje fillestare, duke nisur një muaj shtesë negociatash të përqendruara në programin bërthamor, sipas burimeve.
Megjithëse Trumpi tha të premten se nuk ishte i kënaqur me propozimin iranian, ai u tha gazetarëve të shtunën, para se të nisej nga Palm Beach drejt Miamit, se do ta shqyrtonte atë gjatë fluturimit.
“Po e shqyrtoj. Do t’ju njoftoj më vonë për të”, tha ai.
“Më folën për konceptin e marrëveshjes. Tani do të më japin formulimin e saktë”, shtoi ai.
Pak çaste më vonë, Trump përdori një ton shumë më të ashpër në Truth Social, duke thënë se “nuk mund të imagjinojë që do të ishte e pranueshme” dhe duke këmbëngulur se Irani “ende nuk ka paguar një çmim mjaftueshëm të madh për atë që i ka bërë njerëzimit dhe botës gjatë 47 viteve të fundit”.
Në të njëjtat deklarata për mediat, Trump e përshkroi bllokadën ndaj porteve iraniane si një masë “shumë miqësore” dhe të pakontestuar, duke theksuar se ajo nuk bie në kundërshtim me pretendimin e tij se armiqësitë janë “përfunduar”.













