Numri i viktimave nga një shpërthim gazi në një minierë qymyri në provincën veriore kineze Shanxi është rritur në të paktën 82 të vdekur, ndërsa nëntë persona rezultojnë ende të zhdukur, raportoi të shtunën agjencia shtetërore Xinhua.
Shpërthimi ndodhi vonë të premten në minierën e qymyrit Liushenyu, në qarkun Qinyuan, ku në momentin e aksidentit ndodheshin 247 punëtorë nën tokë, raportoi më herët Xinhua.
Presidenti kinez Xi Jinping u bëri thirrje autoriteteve të “mos kursejnë asnjë përpjekje” për trajtimin e të plagosurve dhe zhvillimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit. Ai urdhëroi gjithashtu një hetim të plotë për shkaqet e aksidentit dhe kërkoi përgjegjësi të rreptë në përputhje me ligjin, sipas Xinhuas.
Kryeministri Li Qiang përsëriti këto udhëzime, duke kërkuar publikimin në kohë dhe me saktësi të informacionit, si dhe vendosjen e përgjegjësisë përkatëse.
Sipas autoritetit lokal të menaxhimit të emergjencave në Qinyuan, operacionet e shpëtimit vazhdonin, ndërsa shkaku i shpërthimit mbetet nën hetim.
Kina ka reduktuar ndjeshëm numrin e viktimave në minierat e qymyrit, shpesh të shkaktuara nga shpërthimet e gazit ose përmbytjet, që nga fillimi i viteve 2000, falë rregulloreve më të rrepta dhe praktikave më të sigurta. Megjithatë, aksidenti në minierën Liushenyu konsiderohet një nga më vdekjeprurësit e raportuar në Kinë gjatë dekadës së fundit.
Agjencia Xinhua raportoi se drejtuesit e kompanisë përgjegjëse për minierën janë ndaluar nga autoritetet.























