Drejtori ekzekutiv i Industrisë Turke të Hapësirës Ajrore (TAI), Mehmet Demiroğlu, gjatë një konference në ambasadën turke në Berlin të Gjermanisë ka deklaruar se Türkiye ka tejkaluar prodhuesit evropianë në zhvillimin e avionëve të avancuar, ndërsa disa projekte në kontinent ende nuk kanë nisur.
Demiroglu tha se teksa programet evropiane Tempest dhe FCAS janë përballur me ngecje, avioni luftarak Kaan i TAI-t kreu fluturimin e tij të parë në shkurt të vitit 2024.
Ai theksoi se që nga viti 2005, kompania ka zhvilluar 13 platforma unike dhe ka zgjeruar objektet e saj në një kampus prej 4 milionë metrash katrorë në Ankara, ku punësohen 16.300 persona.
Ai shtoi se TAI është shndërruar në një furnizues të rëndësishëm të aviacionit civil global, duke prodhuar komponentë strukturorë kritikë për pothuajse çdo avion Airbus që është aktualisht në operim.
Demiroglu bëri të ditur se qendra hapësinore e themeluar së fundmi në Somali do t’i sigurojë Türkiyes pavarësi në lëshimet hapësinore në kushtet e një gare globale gjithnjë e më intensive në këtë fushë.
Sipas tij, humbja e fuqisë punëtore të kualifikuar për shkak të emigrimit të trurit në fillim të viteve 2020 është përmbysur, duke shtuar se “shumë më tepër punonjës po kthehen në Türkiye dhe veçanërisht në TAI sesa po largohen”.
Ai shtoi se TAI gjithashtu operon tunelin e dytë më të madh subsonik të erës në Evropë për testime aerodinamike.
Ai po ashtu u bëri thirrje të rinjve emigrantë që të kthehen në vend për të kontribuar në ekosistemin vendas të industrisë ajrore dhe hapësinore, teksa pavarësia teknologjike e vendit po forcohet falë investimeve në infrastrukturën vendase.























