| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Türkiye do të presë në Istanbul sesionin e 49-të të UNESCO-s në vitin 2027
E drejta e organizimit u miratua unanimisht në sesionin e 48-të të komitetit në Korenë e Jugut, ndërsa Türkiye do ta marrë presidencën e sesionit të ardhshëm.
Türkiye do të presë në Istanbul sesionin e 49-të të UNESCO-s në vitin 2027
Türkiye do të presë në Istanbul sesionin e 49-të të UNESCO-s në vitin 2027

Türkiye do ta presë në Istanbul sesionin e 49-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2027, pasi oferta e saj u miratua unanimisht gjatë sesionit të 48-të të komitetit në Busan të Koresë së Jugut, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme.

Në një deklaratë, ministria tha se sesioni i 49-të është planifikuar të mbahet në Istanbul nga 27 qershori deri më 7 korrik 2027. Ministria tha se Türkiye do të vazhdojë të kontribuojë në bashkëpunimin ndërkombëtar që e synon mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të njohur si trashëgimi e përbashkët e njerëzimit.

Në të njëjtin sesion, ambasadori i Türkiyes pranë UNESCO-s, Mustafa Yurdakul, mori detyrën e kryetarit të sesionit të 49-të.

Ndërkohë, burime thanë se organizimi i sesionit dhe marrja e presidencës së komitetit do ta forcojnë më tej rolin aktiv të Türkiyes brenda UNESCO-s dhe do ta rrisin dukshmërinë e saj në fushën e diplomacisë kulturore, ndërsa do të ofrojnë gjithashtu një mundësi të rëndësishme për promovimin ndërkombëtar të trashëgimisë së pasur kulturore dhe natyrore të vendit.

Türkiye u zgjodh në Komitetin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s për periudhën 2023-2027 me numrin rekord të votave. Vendi aktualisht ka 22 zona të trashëgimisë kulturore dhe të përzier të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s u krijua në kuadër të Konventës së vitit 1972 për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore Botërore dhe shërben si organi vendimmarrës i kësaj konvente.

I përbërë nga 21 shtete anëtare të zgjedhura për mandate katërvjeçare, komiteti vendos për regjistrimet e reja në Listën e Trashëgimisë Botërore, shqyrton gjendjen e ruajtjes së zonave të regjistruara, merr vendime për Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik dhe përcakton përdorimin e Fondit të Trashëgimisë Botërore.

Ai gjithashtu e koordinon bashkëpunimin ndërkombëtar për mbrojtjen, promovimin dhe transmetimin tek brezat e ardhshëm të zonave kulturore dhe natyrore të njohura se kanë Vlerë të Jashtëzakonshme Universale.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë