Në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike COP31, ministri turk i Bujqësisë dhe Pylltarisë të hënën i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mbështesë dhe t’i bashkohet Planit të Veprimit të Antalyas për Menaxhimin e Integruar të Zjarreve, duke theksuar se Türkiye është e gatshme të ndajë përvojën dhe ekspertizën e saj me të gjithë partnerët.
Duke folur në Antalya, qytetin në jug të Türkiyes që këtë vit pret konferencën e COP-it, Ibrahim Yumakli, theksoi urgjencën e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke thënë se zjarret në natyrë nuk janë më ngjarje sezonale apo lokale, por “kërcënim gjatë gjithë vitit, që kapërcen kufijtë dhe ka pasoja tejet shkatërruese”.
“Çdo vit, zjarret prekin rreth 261 milionë hektarë tokë në mbarë botën, përfshirë 127 milionë hektarë pyje. Për më tepër, pritet që rastet e zjarreve ekstreme të rriten deri në 50 për qind deri në fund të këtij shekulli”, tha ai. “Zjarret në natyrë janë njëkohësisht pasojë dhe faktor nxitës i ndryshimeve klimatike. Kriza klimatike po i kërcënon gjithnjë e më shumë pyjet, të cilat janë vetë pjesë e zgjidhjes”, shtoi ai.
Yumakli foli në Dialogun e Nivelit të Lartë të COP31 për Teknologjinë dhe Inovacionin për Menaxhimin e Integruar të Zjarreve dhe Rezistencën ndaj Zjarreve në Natyrë, në Zonën Blu në Antalya. Ai vuri në dukje se Türkiye e thekson vazhdimisht rëndësinë e pyjeve në çdo platformë ndërkombëtare dhe se këtë çështje e kishte ngritur edhe gjatë Samitit të Liderëve të COP31, javën e kaluar.
Ai theksoi nevojën për t’u larguar nga qasja reaguese, e përqendruar në shuarjen e zjarreve pasi ato shpërthejnë, dhe për të kaluar drejt një strategjie të integruar që bazohet te parandalimi dhe gatishmëria. Gjithashtu, ai nënvizoi pasojat më të gjera ekologjike dhe socioekonomike të zjarreve në natyrë, duke vënë në dukje se kur digjen pyjet, dëmet shtrihen shumë përtej pemëve – humbasin gjithashtu ekosistemet e tokës, rrënjët që mbajnë ujin, shpatet që furnizojnë burimet ujore, kosheret e bletëve, kullotat dhe mjedisi natyror.
Yumakli tha se komuniteti ndërkombëtar ka filluar t’i përgjigjet këtij kërcënimi në rritje, duke përmendur Kartën e Kananaskisit të G7-s për Zjarret në Natyrë, Raportin e Stambollit të hartuar nën udhëheqjen e Türkiyes, Thirrjen e Belemit për Veprim në COP30 dhe rezolutën e Asamblesë së OKB-së për Mjedisin (UNEA-7) si hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.
Megjithatë, ai tha se këto nisma përcillnin një mesazh të përbashkët: “Zgjidhjet janë brenda mundësive tona, por qasjet tona mbeten të fragmentuara”.
- Türkiye synon t’i shndërrojë zotimet ndërkombëtare në veprime konkrete
Duke theksuar se humbja e pyjeve nënkupton gjithashtu humbjen e kujtesës kolektive, Yumakli shpjegoi pasojat afatgjata të zjarreve në natyrë.
“Toka e zhveshur nga pemët nuk mund ta mbajë ujin e reshjeve. Uji rrjedh dhe largohet, duke lënë pas përmbytje, erozion dhe thatësira. Si rezultat, pasojat e një zjarri në natyrë vazhdojnë të ndihen në fusha, rezervuarë dhe në tryezat tona, edhe vite pasi flakët janë shuar”, tha ai.
Ai tha se Türkiye tani po punon për t’i shndërruar zotimet e marra në COP30 në Belem në veprime konkrete në Antalya.
“Me këtë synim, ne po e shndërrojmë zotimin e marrë në Belem në veprime konkrete në Antalya. Sot jemi këtu për të punuar me partnerët tanë që Planin e Veprimit të Antalyas për Menaxhimin e Integruar të Zjarreve, të cilin e shpallëm në Samitin e Liderëve, ta kalojmë në fazën e zbatimit”, tha ai.
Plani përqendrohet në katër objektiva kryesore: forcimin e kapaciteteve të përbashkëta për reagim ndërkufitar; zhvillimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm të bazuara në shkencë, të dhëna dhe inovacion; promovimin e menaxhimit dhe restaurimit të peizazheve në përputhje me karakteristikat lokale të zjarreve; si dhe lehtësimin e qasjes në financim, ngritjen e kapaciteteve dhe teknologji, veçanërisht për vendet në zhvillim.
“Türkiye po e nis këtë rrugëtim duke u mbështetur në përvojën e saj”, shtoi Yumakli.
- Türkiye i forcon kapacitetet për përballimin e zjarreve në natyrë
Yumakli tha se Türkiye e kishte riformësuar rrënjësisht qasjen e saj ndaj menaxhimit të zjarreve pas zjarreve shkatërruese të vitit 2021, duke e forcuar flotën e mjeteve ajrore për shuarjen e zjarreve, mjetet ajrore pa pilot (dronët) dhe kapacitetet e reagimit në terren. Ai tha se vendi ka integruar gjithashtu kullat e vëzhgimit me sistemet e zbulimit të hershëm të bazuara në inteligjencën artificiale, duke e shkurtuar kohën e reagimit fillestar në vetëm pak minuta.
Ai theksoi se zonat e prekura nga zjarret po rikthehen në pyje, në përputhje me karakteristikat e tyre ekologjike.
“Këtë vit kemi mbjellë 600 milionë fidanë dhe fara. Për ne, kjo nuk është thjesht çështje teknologjie. Kjo arritje është rezultat i koordinimit institucional, trajnimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, tha ai.
“Türkiye është e gatshme ta ndajë këtë përvojë me të gjithë partnerët e saj në kuadër të Planit të Veprimit të Antalyas. Ju ftoj të gjithëve ta mbështesni dhe t’i bashkoheni këtij plani”, shtoi ai.
Ai falënderoi Brazilin, Korenë e Jugut, Organizatën e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), Partneritetin e Liderëve për Pyjet dhe Klimën dhe Qendrën Globale për Menaxhimin e Zjarreve, e cila do të shërbejë si sekretariat i planit.
Duke shprehur shpresën se konferenca e sivjetme e COP-it do të sjellë rezultate konkrete për pyjet, ai shtoi: “Pyjet tona janë trashëgimia jonë e përbashkët. Mbrojtja e tyre është përgjegjësia jonë e përbashkët. Besoj fuqimisht se rezultatet e këtij dialogu do të kontribuojnë në mbrojtjen e burimeve tona pyjore”.















