Mishi i kurbanëve të therur në kuadër të organizimit të Gjysmëhënës së Kuqe Turke u shpërnda te familjet në nevojë në gjithë vendin me mbështetjen e Kryqit të Kuq të Kosovës.
Gjysmëhëna e Kuqe Turke (Kızılay) realizoi therje të kurbaneve në qytetin e Prizrenit, në jug të Kosovës, duke mbështetur mbi 3.500 familje në nevojë.
Në kuadër të organizimit për therjen e kurbaneve me autorizim nga donatorët, Gjysmëhëna e Kuqe Turke kreu therjen e kurbanëve në qytetin e Prizrenit.
Shefi i ekipit të Gjysmëhënës së Kuqe Turke në Kosovë, Utkuhan Yildirim, në fjalën e tij tha se me rastin e Kurban Bajramit janë takuar në terren me qytetarët dhe kanë sjellë mesazhe vëllazërie dhe solidariteti nga Türkiye.
“Kemi sjellë përshëndetje nga Türkiye dhe nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke. Jemi shumë të lumtur që jemi bashkë. Gëzuar Bajramin e Kurbanit, ju sjelltë begati”, tha ai.
Yildirim theksoi se therjet e kurbaneve, të realizuara mbi bazën e autorizimeve të dhëna nga donatorët, janë kryer nën mbikëqyrjen e ekipeve të Gjysmëhënës së Kuqe Turke dhe kontrollin e veterinerëve.
Ai bëri të ditur se therjet janë realizuar në përputhje me rregullat islame dhe standardet higjienike, ndërsa synohet që mishi i kurbanit të shpërndahet te më shumë se 3 mijë e 500 familje në nevojë në mbarë Kosovën.
Yildirim shtoi se si shenjë e mikpritjes turke pas faljes së namazit të Bajramit qytetarëve u janë shpërndarë llokume.
Mishi i kurbanëve të therur në kuadër të organizimit të Gjysmëhënës së Kuqe Turke u shpërnda tek familjet në nevojë në gjithë vendin me mbështetjen e Kryqit të Kuq të Kosovës.
Ndërkohë, Gjysmëhëna e Kuqe Turke do të shpërndajë mish kurbani për rreth 30 mijë persona në nevojë në vendet e Ballkanit, përfshirë Bosnjë e Hercegovinën, Bullgarinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.





















