Bashkimi Evropian rivendosi sot zbatimin e plotë të marrëveshjes së saj të bashkëpunimit me Sirinë, duke shënuar një hap të mëtejshëm në rindërtimin e lidhjeve pas rënies së regjimit të Bashar al-Asadit.
Këshilli Evropian miratoi një vendim që i jep fund pezullimit të pjesshëm të Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis Komunitetit Ekonomik Evropian dhe Sirisë, duke shfuqizuar një vendim të vitit 2011 që kishte ndaluar pjesë të marrëveshjes për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut nga regjimi i Asadit.
"Vendimi dërgon sinjal të qartë politik të angazhimit të BE-së për t'u riangazhuar me Sirinë dhe për të mbështetur rimëkëmbjen e saj ekonomike", tha këshilli në një deklaratë. Pezullimi, i vendosur në vitin 2011 dhe i zgjeruar në vitin 2012, synonte dispozitat tregtare që përfshinin eksportet siriane, duke përfshirë naftën, produktet e naftës, arin, metalet e çmuara dhe diamantet.
Këshilli tha se kushtet që çuan në pezullim "nuk janë më të pranishme" pas rënies së Asadit në dhjetor 2024. Një vendimi i BE-së në fillim të këtij viti hoqi sanksionet ekonomike ndaj Sirisë, përveç atyre që mbahen për arsye sigurie.
Sipas këshillit, rivendosja e marrëveshjes është pjesë e politikës më të gjerë të bllokut për të mbështetur "një tranzicion paqësor dhe gjithëpërfshirës në Siri" dhe për të ndihmuar rimëkëmbjen socio-ekonomike të vendit.
Komisioni Evropian do t'i njoftojë zyrtarisht autoritetet siriane për vendimin, vuri në dukje deklarata, ku njoftohet se dispozitat e rivendosura do të hyjnë në fuqi ditën e parë të muajit pas njoftimit. Marrëveshja e bashkëpunimit, e nënshkruar në vitin 1977, formon kornizën për marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis BE-së dhe Sirisë.
Këshilli tha se BE-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur të drejtat e njeriut, qeverisjen gjithëpërfshirëse dhe riintegrimin e Sirisë në sistemin ekonomik ndërkombëtar.




















