Pakistani dhe Egjipti shprehën të mërkurën shqetësim të thellë për përkeqësimin e situatës në territoret palestineze, duke dënuar operacionet e vazhdueshme ushtarake izraelite në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, si dhe duke bërë thirrje për ndërprerje të menjëhershme të armiqësive.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Pakistanit, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Mohammad Ishaq Dar e diskutoi situatën gjatë një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm të Egjiptit, Badr Abdelatty.
Dy ministrat dënuan vazhdimin e operacioneve ushtarake izraelite në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, përshkallëzimin e sulmeve nga kolonët izraelitë, si dhe shkeljet e përsëritura në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar.
Ata e theksuan nevojën për një ndërprerje të menjëhershme të luftimeve, lejimin pa pengesa të ndihmës humanitare dhe respektimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare.
Dar dhe Abdelatty diskutuan gjithashtu propozimin e Jordanisë për mbajtjen e një takimi të vendeve arabe dhe islame me qëllim koordinimin e përpjekjeve diplomatike në mbështetje të popullit palestinez.
Ministrat shkëmbyen mendime edhe për zhvillimet më të gjera rajonale, duke e theksuar rëndësinë e vetëpërmbajtjes, dialogut dhe diplomacisë për ta parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme.
Forcat izraelite kryejnë pothuajse çdo ditë bastisje ushtarake në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke arrestuar palestinezë dhe duke kryer sulme ndaj tyre dhe pronave të tyre.
Përshkallëzimi vjen në kohën kur sulmet e ushtrisë izraelite dhe të kolonëve në Bregun Perëndimor janë intensifikuar që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor të vitit 2023.
Sipas të dhënave zyrtare palestineze, gjatë kësaj periudhe në Bregun Perëndimor të pushtuar janë vrarë të paktën 1.182 palestinezë, janë plagosur rreth 13.000 dhe janë arrestuar afërsisht 24.000 të tjerë.
Ritmi i bastisjeve izraelite dhe i dhunës së kolonëve është shtuar edhe më tej pas incidentit të së premtes në qytetin Tell, pranë Nablusit, ku gjatë përleshjeve mes kolonëve izraelitë, banorëve palestinezë dhe ushtrisë izraelite u vranë katër palestinezë dhe dy izraelitë.






















