| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Maqedoni e Veriut, 7 persona me ethe të Nilit Perëndimor të shtruar në Klinikën Infektive në Shkup
Gjendja shëndetësore e një 76-vjeçari nga Shkupi, i cili ndodhet në kujdes intensiv dhe në mbështetje respiratore, mbetet serioze.
Maqedoni e Veriut, 7 persona me ethe të Nilit Perëndimor të shtruar në Klinikën Infektive në Shkup
Maqedoni e Veriut, 7 persona me ethe të Nilit Perëndimor të shtruar në Klinikën Infektive në Shkup

Shtatë persona, te të cilët është konfirmuar ethet e Nilit Perëndimor, janë të shtruar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup, deklaroi drejtori i Klinikës, Fadil Cana.

Sipas lajmit të MIA-s, Cana tha se gjendja shëndetësore e njërit prej pacientëve, një 76-vjeçar nga Shkupi i cili është vendosur në repartin e kujdesit intensiv, ende është serioze dhe ai ndodhet në mbështetje respiratore.

"Personi ka një javë që ndodhet në Klinikë dhe nuk ka udhëtuar jashtë vendit", tha Cana.

Gjashtë pacientët e tjerë të shtruar janë mbi moshën 60 vjeç, janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, ndërsa vetëm njëri prej tyre kishte udhëtuar më parë në Greqi, shtoi ai.

"Te të gjithë pacientët e shtruar ka inflamacion viral të trurit dhe cipave të trurit. Simptomat janë temperaturë e lartë, dhimbje e fortë koke, çorientim dhe dëmtim i vetëdijes", deklaroi Cana.

Virusi i Nilit Perëndimor

Për mbrojtjen nga virusi i Nilit Perëndimor, i cili më së shpeshti transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të gjinisë "Culex", nuk ka vaksinë të disponueshme dhe rekomandohet mbrojtja nga pickimet e mushkonjave.

Periudha e inkubacionit nga momenti i pickimit të mushkonjës zakonisht zgjat nga 2 deri në 14 ditë ndërsa te personat me imunitet të dobësuar kjo periudhë mund të zgjatet deri në 21 ditë.

Rreth 80 për qind e personave të infektuar me virus nuk shfaqin asnjë simptomë, ndërsa te rreth 20 për qind e pacientëve mund të shfaqen simptoma si temperaturë, dobësi, të përziera dhe të vjella, dhimbje koke dhe dhimbje muskulore.

Rastet me virusin e Nilit Perëndimor regjistrohen më së shpeshti në Afrikë, Evropë, Lindjen e Mesme, Amerikën e Veriut dhe Azinë Perëndimore.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë