Policia Ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka kryer trajnime të specializuara me Policinë Ushtarake të Kroacisë.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se trajnimi është kryer në kuadër të ngritjes së kapaciteteve operacionale të FSK-së.
"FSK-ja po vazhdon avancimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të Policisë Ushtarake përmes trajnimeve të specializuara dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë. Në bashkëpunim me instruktorë nga Policia Ushtarake Kroate, është realizuar për herë të parë kursi për intervenime dhe kontrollim të turmave, duke integruar modulet e specializuara për intervenime të shpejta, kontroll të turmave dhe luftime në hapësira të mbyllura (CQB)", shkroi Maqedonci.
Ai theksoi se gjatë këtij trajnimi intensiv, pjesëtarët e Policisë Ushtarake kanë zhvilluar aftësi të avancuara taktike dhe operacionale, duke dëshmuar profesionalizëm, disiplinë dhe gatishmëri të lartë.
Maqedonci shprehet se ky trajnim është një tjetër dëshmi e transformimit të vazhdueshëm të Policisë Ushtarake në një njësi moderne dhe të përgatitur për t'u përballur me sfidat bashkëkohore të sigurisë.















