Në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, u organizua aktivitet me rastin e 19 Majit, Ditës së Përkujtimit të Ataturkut, Rinisë dhe Sportit, e cila shënohet si festë shtetërore në Türkiye.
Në aktivitetin e organizuar nga Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke në Maqedoninë e Veriut (MATUSITEB) morën pjesë zëvendësshefi i Misionit dhe sekretari i parë i Ambasadës së Türkiyes në Shkup, Anil Kayalar, këshilltari për arsim në Ambasadën e Türkiyes në Shkup, Ali Riza Altunel, kryetari i MATUSITEB-it, Tahsin Ibrahim, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke dhe vendore.
Kayalar, në fjalën e tij, tha se Türkiye dëshiron që në Ballkan të mbizotërojnë paqja, stabiliteti dhe mirëqenia.
Duke theksuar se Maqedonia e Veriut është një nga vendet më të rëndësishme në zemër të Ballkanit, si në aspektin historik, ashtu edhe aktual, Kayalar tha: “Turqit këtu janë elementi më i rëndësishëm në këtë drejtim. Turqit janë elementi më i rëndësishëm i marrëdhënieve Türkiye-Maqedoni e Veriut”.
Duke folur për rëndësinë e 19 Majit, Kayalar u kujtoi të rinjve fjalët e Mustafa Kemal Ataturkut: “Udhërrëfyesi më i vërtetë në jetë është shkenca” dhe “Fuqia që ju nevojitet gjendet në gjakun fisnik që rrjedh në damarët tuaj”.
Altunel, nga ana tjetër, tha se është një lumturi e madhe që 19 Maji festohet në Maqedoninë e Veriut dhe shtoi: “Për këtë arsye ju falënderoj sinqerisht të gjithëve që nuk e keni humbur gjuhën, kulturën dhe ndjenjën e përkatësisë”.
Duke folur për aktivitetet që po realizohen për ruajtjen e mësimit në gjuhën turke në Maqedoninë e Veriut, Altunel bëri të ditur se pajisjet e dërguara nga Ministria e Arsimit e Turqisë, si tabela inteligjente dhe banka shkollore, kanë filluar të arrijnë nëpër shkolla.
Ndërkaq, Tahsin Ibrahimi tha se sot nuk janë mbledhur vetëm për të shpërblyer nxënësit e suksesshëm. “Në të njëjtën kohë, jemi mbledhur për të treguar edhe një herë vullnetin tonë për të ruajtur të ardhmen e turqve të Ballkanit, që janë pjesë e pandashme e botës turke, si dhe vlerat tona kombëtare e shpirtërore, gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë”, tha ai.
Në kuadër të programit, nxënësve që ndjekin mësimin në gjuhën turke në Maqedoninë e Veriut dhe që kanë arritur sukses si nxënësit më të mirë të gjeneratës, iu ndanë çmime.
Gjithashtu, nxënës të shkollave fillore dhe të mesme interpretuan pika muzikore dhe prezantuan valle popullore.




















