Hamasi njoftoi se delegacioni i tij negociues do të shkojë në Egjipt për të vazhduar bisedimet mbi zbatimin e fazës së dytë të marrëveshjes për armëpushimin në Gazë.
Përmes një deklarate nga platforma “Telegram”, lëvizja e rezistencës palestineze tha se ky delegacion do të takohet me zyrtarë egjiptianë dhe ndërmjetësues nga Egjipti, Katari e Türkiye, si dhe me fraksione e forca palestineze.
Hamasi tha se bisedimet synojnë konsolidimin e armëpushimit dhe sigurimin e zbatimit të angazhimeve të rëna dakord në Sharm el-Sheik, qytet turistik egjiptian në brigjet e Detit të Kuq, veçanërisht atyre që lidhen me kushtet humanitare në Gazë dhe kalimin në fazën e dytë të planit të Presidentit amerikan, Donald Trump.
Izraeli e nisi gjenocidin mbi Gazën më 8 tetor 2023, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke vrarë më shumë se 73 mijë palestinezë dhe duke plagosur mbi 174 mijë të tjerë, shumica prej tyre gra e fëmijë.
Pavarësisht marrëveshjes për armëpushim që hyri në fuqi më 10 tetor 2025, Izraeli i ka vazhduar sulmet e përditshme, duke vrarë 1.207 palestinezë dhe duke plagosur 3.914 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Izraeli vazhdon ta shkelë marrëveshjen duke kufizuar hyrjen e ushqimeve, ilaçeve, furnizimeve mjekësore, materialeve për strehim dhe shtëpive të parafabrikuara në Gazë, ku rreth 2,4 milionë palestinezë, përfshirë 1,5 milionë persona të zhvendosur, jetojnë në kushte katastrofike.
Ndërsa Hamasi thotë se i ka përmbushur angazhimet e fazës së parë, duke liruar pengjet izraelitë, Tel-Avivi ka dështuar t’i përmbushë detyrimet e tij përmes vazhdimit të bombardimeve dhe kufizimeve ndaj ndihmave humanitare.
Faza e dytë përfshin një tërheqje më të gjerë të ushtrisë izraelite nga Gaza dhe fillimin e rindërtimit në këmbim të nisjes së çarmatimit të fraksioneve palestineze. Këto kushte ende nuk janë zbatuar, ndërsa Izraeli këmbëngul se çarmatimi duhet të vijë i pari.




















