| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kurti dhe Haddad e konfirmojnë thellimin e partneritetit Kosovë-Francë
"Nënshkrimi i marrëveshjeve dhe deklaratës në fushën e sportit, drejtësisë dhe arsimit, është hap i rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërmjet dy shteteve", tha Kurti.
Kurti dhe Haddad e konfirmojnë thellimin e partneritetit Kosovë-Francë
Kurti dhe Haddad e konfirmojnë thellimin e partneritetit Kosovë-Francë

Kosova dhe Franca e kanë konfirmuar përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, pas nënshkrimit të katër marrëveshjeve dhe një deklarate synimi që përfshijnë fushën e drejtësisë, arsimit dhe të zhvillimit ekonomik.

Gjatë takimit me ministrin e deleguar për Evropën të Francës, Benjamin Haddad, kryeministri në detyrë Albin Kurti e cilësoi nënshkrimin e marrëveshjeve si një hap të rëndësishëm për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

"Nënshkrimi i marrëveshjeve dhe deklaratës në fushën e sportit, drejtësisë dhe arsimit, është hap i rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërmjet dy shteteve", tha Kurti.

Në kuadër të vizitës së ministrit Haddad u organizua edhe një tryezë e rrumbullakët e udhëhequr nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ku u prezantuan prioritetet zhvillimore të Kosovës dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik me Francën. 

Diskutimet u përqendruan në investimet në energji, infrastrukturë, teknologji të informacionit dhe përgatitjet për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, ndërsa kompanitë franceze u ftuan të marrin pjesë në projektet e ardhshme investuese.

Ministri francez Benjamin Haddad vlerësoi se marrëveshjet e arritura krijojnë një bazë për një partneritet më ambicioz ndërmjet dy vendeve.

"Ky është fillimi i diçkaje më të madhe dhe shumë më ambicioze. Lojërat Mesdhetare përbëjnë një mundësi shumë të mirë për ta nxitur dhe thelluar bashkëpunimin tonë", deklaroi Haddad.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë