| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Mickoski-Kos: Maqedonia e Veriut e ka vendin në Bashkimin Evropian si anëtare me të drejta të plota
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u takua me komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos në kryeqytetin Shkup.
Mickoski-Kos: Maqedonia e Veriut e ka vendin në Bashkimin Evropian si anëtare me të drejta të plota
Mickoski-Kos: Maqedonia e Veriut e ka vendin në Bashkimin Evropian si anëtare me të drejta të plota / AA

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, deklaroi se Maqedonia e Veriut e ka vendin në BE si anëtare me të drejta të plota.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u takua me komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, në kryeqytetin Shkup.

Pas takimit, Mickoski dhe Kos mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

"Qëllimi ynë është ndërtimi i institucioneve funksionale, sundim më i fortë i ligjit, administratë më efikase dhe ekonomi konkurruese. Këtë nuk e bëjmë sepse dikush e kërkon nga ne, por sepse besojmë se është e vetmja rrugë e drejtë. Në këtë proces e vlerësojmë mbështetjen e BE-së", tha Mickoski.

Duke shpjeguar se përcaktimi i tyre mbetet i pandryshuar, Mickoski tha:

"Do të vazhdojmë me reformat, do ta forcojmë ekonominë, institucionet dhe sundimin e ligjit. Mbetemi të përkushtuar edhe ndaj qëndrimit se çdo zgjidhje e qëndrueshme duhet të bazohet në respekt të ndërsjellë, mbrojtjen e dinjitetit kombëtar dhe një perspektivë të qartë e të parashikueshme evropiane".

Ai vlerësoi se vizita e sotme e komisioneres Kos është një mundësi për një bisedë të hapur, të sinqertë dhe thelbësore për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, për reformat që vendi po zbaton dhe për nevojën, siç theksoi ai, që zgjerimi të mbetet besnik ndaj parimeve të BE-së - besimit, parashikueshmërisë, trajtimit të barabartë dhe respektimit të dinjitetit të çdo vendi kandidat.

Ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme për fillimin e negociatave të anëtarësimit 

Kos, nga ana tjetër, tha se po shohin përparim inkurajues që nga fillimi i vitit në agjendën reformuese të vendit, duke përgëzuar angazhimin e shtuar të qeverisë.

"Maqedonia e Veriut tani është ndër performuesit më të mirë, po arrihet përparim në harmonizimin me legjislacionin e BE-së dhe standardet evropiane", tha ajo.

"Për këtë arsye, Maqedonia e Veriut u kualifikua në grupin e vendeve ku do të japim mjete shtesë për Planin e Reformave ose Planin e Rritjes", shtoi Kos.

Ajo theksoi se vendi së shpejti do t'i bashkohet edhe Rezervës së Sigurisë Kibernetike të BE-së në kuadër të Programit Evropa Digjitale, që do të thotë se Maqedonia e Veriut do të mund të mbështetet në mbështetje të besueshme për sigurinë kibernetike nga e gjithë Bashkimi në rast se përballet me një sulm kibernetik.

"Miratimi i ndryshimeve kushtetuese të dakorduara mbetet hapi i domosdoshëm i radhës drejt fillimit formal të negociatave të anëtarësimit. Prandaj, edhe një herë e inkurajoj qeverinë ta nisë procesin që së shpejti mund të çojë në ndryshimin e kushtetutës", theksoi Kos.

Maqedonia e Veriut e ka vendin në Bashkimin Evropian 

Kos shpjegoi se ekziston një perspektivë reale që deri në vitin 2028 BE-ja të ketë edhe një anëtare të re, dhe ajo të jetë nga territori i Ballkanit Perëndimor.

"Gjithashtu, Maqedonia e Veriut duhet të jetë ndër ato që ecin përpara. Ju e keni vendin në Bashkimin Evropian si anëtare me të drejta të plota të BE-së", tha Kos.

Eurokomisionerja Kos do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi.

Kos gjithashtu, së bashku me ministren e Arsimit dhe të Shkencës, Vesna Janevska, dhe zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin për Çështje Evropiane, Bekim Sali, do ta vizitojnë Konviktin Shtetëror Studentor "Stiv Naumov".

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë