Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka marrë kritika të gjera nga analistët pas deklaratave të saj të fundit se Bashkimi Evropian duhet ta plotësojë “kontinentin evropian në mënyrë që të mos ndikohet nga Rusia, Türkiye apo Kina”.
Duke folur në një aktivitet me rastin e 80-vjetorit të gazetës gjermane “Die Zeit” në Hamburg, Von der Leyeni përsëriti mbështetjen e saj për zgjerimin e BE-së, duke e përfshirë Türkiyen në të njëjtën kategori me Rusinë dhe Kinën.
“Ne duhet të arrijmë të plotësojmë kontinentin evropian në mënyrë që të mos ndikohet nga Rusia, Türkiye apo Kina”, tha ajo.
Këto deklarata të debatueshme nxitën një sqarim nga Komisioni Evropian, i cili theksoi se Türkiye është “pa asnjë dyshim një partner i rëndësishëm” si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë politik, dhe se përmendja e saj reflekton peshën gjeopolitike, jo një krahasim të drejtpërdrejtë.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian nënvizoi rolin e Türkiyes në fusha strategjike si iniciativat e ndërlidhjes, përfshirë Korridorin e Mesëm Transkaspik, menaxhimin e migracionit dhe statusin e saj si aleate e NATO-s e vend kandidat për anëtarësim në BE, duke e përshkruar Ankaranë si një “bashkëbisedues kyç”.
Deklaratë e jashtëzakonshme
Ekspertët, megjithatë, shprehën kritika të forta për tonin dhe implikimet e deklaratës.
“Sinqerisht mendoj se kjo është një deklaratë e jashtëzakonshme”, tha për Agjencinë Anadolli (AA) historiani, autori dhe opinionisti britanik, Timothy Ash, bashkëpunëtor në “Chatham House”, duke theksuar se Türkiye mbetet një aleate besnike e NATO-s dhe një vend kandidat për në BE.
Ai theksoi se forcat turke kontribuojnë drejtpërdrejt në sigurinë e Evropës, duke shtuar: “Türkiye është ende një aleate besnike e Evropës, trupat turke ndihmojnë në mbrojtjen e kufijve të Evropës.”
“Në një mjedis ku Evropa përballet me një kërcënim ekzistencial nga Rusia dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e dobët apo e pasigurt, sigurisht që Türkiye, me ushtrinë e saj të fortë dhe kompleksitetin industrial ushtarak, mund të ndihmojë në plotësimin e boshllëqeve në mbrojtjen e Evropës”, argumentoi Ashi.
Sfida të mëdha
Bashkimi Evropian vazhdon të përballet me sfida të konsiderueshme në ndërtimin e një kapaciteti efektiv dhe të unifikuar të mbrojtjes e sigurisë, duke kufizuar aftësinë e tij për të vepruar në mënyrë të pavarur në një mjedis gjeopolitik gjithnjë e më të paqëndrueshëm.
Pavarësisht iniciativave në kuadër të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes, blloku mbetet i kufizuar nga struktura ushtarake të fragmentuara, shpenzime të pabarabarta në mbrojtje dhe prioritete strategjike të ndryshme mes shteteve anëtare.
Analistët vënë në dukje se BE-ja ende mbështetet në masë të madhe te NATO-ja, veçanërisht te ShBA-ja, për kapacitete kyç si inteligjenca, transporti strategjik dhe parandalimi, duke nxjerrë në pah hendekun e vazhdueshëm mes ambicies politike dhe gatishmërisë operacionale.
“Türkiye ka ushtrinë tokësore më të madhe në NATO-n evropiane, një kompleksitet industrial ushtarak të zhvilluar dhe ekspertizë të veçantë në dronë. Është absurde që Von der Leyen ta ofendojë Türkiyen në këtë mënyrë, duke pasur parasysh se ajo duhet të jetë pjesë integrale e mbrojtjes së Evropës”, vijoi opinionisti Ash.
“Politikisht kundërproduktive, strategjikisht e pamenduar”
Riccardo Gasco, koordinator i politikës së jashtme në organizatën kërkimore “IstanPol”, tha se deklaratat reflektojnë ambiguitetin e vazhdueshëm të BE-së ndaj Türkiyes.
Ndërsa Brukseli po e njeh gjithnjë e më shumë rëndësinë e Ankarasë në siguri, mbrojtje, migracion dhe diplomaci rajonale, një pjesë e BE-së vazhdon ta trajtojë atë si një ndikim gjeopolitik për t’u menaxhuar dhe jo si një partner për t’u integruar.
“Kjo është problematike, sepse kufizimet aktuale të Evropës në mbrojtje dhe strategji ekonomike e bëjnë bashkëpunimin me Türkiyen më të nevojshëm, jo më pak. Distancimi i mëtejshëm nga Türkiye do të ishte politikisht kundërproduktiv dhe strategjikisht i pamenduar”, tha Gasco për AA-në.
“Türkiye mbetet një vend kandidat, një aleate e NATO-s dhe një aktor i rëndësishëm për arkitekturën më të gjerë të sigurisë së Evropës”, shtoi ai, duke theksuar se përdorimi i një gjuhe përjashtuese ndaj një vendi që mban ende statusin e kandidatit për në BE, nuk është konstruktiv, sidomos në një kohë kur Evropa po diskuton zgjerimin, sigurinë dhe drejtimin e saj gjeopolitik.
Realitetet gjeopolitike
Mesazhet brenda BE-së duket se janë të ndara, pasi komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, u tha së fundmi ligjvënësve evropianë se blloku “ka nevojë për Türkiyen në dritën e realiteteve gjeopolitike në ndryshim në Evropë dhe Lindjen e Mesme”.
“Ata janë partneri i pestë më i madh tregtar i BE-së, me një volum tregtie dy herë më të madh sesa ai me Mercosur-in apo Indinë. Türkiye është thelbësore për rrugët tregtare mes Evropës dhe Azisë. Dhe çdo marrëveshje paqeje për Ukrainën do të kërkojë Türkiyen (ushtria e dytë më e madhe në NATO), pasi do të përballemi me një mjedis të ri sigurie në rajonin e Detit të Zi”, shtoi eurokomisionerja Kos.
Gasco theksoi se mesazhet e ndryshme nga Von der Leyeni dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, tregojnë një dualitet të brendshëm në BE.
Një qasje mbetet e kujdesshme dhe e ndikuar politikisht, e formësuar nga tensionet e vjetra, ndërsa tjetra është më gjeopolitike dhe e bazuar në interesa, duke pranuar se “bashkëpunimi me Türkiyen nuk mund të shtyhet”.
“Kjo është arsyeja pse politika e BE-së shpesh duket e paqëndrueshme”, tha ai. “Nevoja strategjike shtyn drejt angazhimit, ndërsa hezitimi politik vazhdon ta pengojë atë”.












