Një grup ish-diplomatësh britanikë ka bërë thirrje që Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj të ndërmarrin veprime më të forta kundër zgjerimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke paralajmëruar se politikat aktuale rrezikojnë të mundësojnë aneksimin dhe të minojnë të drejtën ndërkombëtare.
Në një letër të publikuar në Financial Times, më shumë se 80 ish-diplomatë, përfshirë 60 ambasadorë, përfaqësues të lartë dhe zyrtarë të lartë, thanë se aktiviteti dhe politikat zgjeruese të Izraelit në territoret palestineze të pushtuara përbëjnë “aneksim në përshpejtim”.
“Amerika vërtet po humb dashurinë për Izraelin. Po ashtu edhe Evropa. Derisa bota shikon Iranin dhe Libanin, Izraeli po zgjeron kontrollin mbi Bregun Perëndimor dhe Gazën. Aneksimi i tij në përshpejtim është i padiskutueshëm”, thuhet në letër.
Ata argumentuan se Izraeli po shkel si Marrëveshjen e Asocimit BE-Izrael ashtu edhe Marrëveshjen e Tregtisë dhe Partneritetit Mbretëri e Bashkuar-Izrael, të cilat kërkojnë respektimin e të drejtave të njeriut dhe parimeve demokratike.
“Izraeli është në shkelje të të dy marrëveshjeve”, thuhet në letër, duke përmendur zgjerimin e vendbanimeve, diskriminimin ndaj palestinezëve dhe atë që e përshkruan si “dhunë sistematike të kolonëve të mbështetur nga shteti”.
Nënshkruesit kërkuan që BE-ja të pezullojë marrëveshjen e asocimit me Izraelin, të ndalojë tregtinë me vendbanimet, të pezullojë transferimin e armëve dhe të kufizojë pjesëmarrjen e Izraelit në programet e BE-së.
Ata gjithashtu i bënë thirrje Mbretërisë së Bashkuar të ndalojë të gjithë tregtinë me vendbanimet dhe të rishikojë marrëveshjet e saj me Izraelin.
“Projekti i vendbanimeve të Izraelit synon të shkatërrojë mundësinë e një shteti palestinez, Gazën, Kudsin Lindor dhe pjesën tjetër të Bregut Perëndimor, që Britania e njohu në shtator të vitit 2025. Ky synim duhet të dështojë, për hir të stabilitetit afatgjatë dhe një paqeje të drejtë”, theksuan ata.
Diplomatët paralajmëruan se ndërtimi i vazhdueshëm i vendbanimeve, përfshirë projektet e planifikuara në zonën E1 të Bregut Perëndimor, mund të minojë më tej mundësinë e një shteti palestinez në të ardhmen.
“Thjesht deklaratat e dënimit po injorohen. Teksa bota shpërqendrohet, shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare vazhdojnë në Palestinën e pushtuar. Ne ia kemi përcjellë letrën e BE-së sekretarit të jashtëm, Yvette Cooper. Tani kërkohet veprim qeveritar”, përfundon letra.






















