| Albanian
RAJONI
1 minuta leximi
Maqedonia e Veriut dhe Izraeli shprehin gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve
“Vizita (në Izrael) është mundësi që marrëdhëniet e forta politike t’i shndërrojmë në bashkëpunim më konkret, veçanërisht në ekonomi, industrinë e mbrojtjes, siguri kibernetike, shëndetësi, bujqësi dhe turizëm”, tha kryediplomati Mucunski.
Maqedonia e Veriut dhe Izraeli shprehin gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve
Maqedonia e Veriut dhe Izraeli shprehin gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve. FB / Timço Mucunski

Në kuadër të një vizite pune në Izrael, ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka zhvilluar takim me homologun e tij izraelit, Gideon Saar.

Në një njoftim në rrjetet sociale, Mucunski tha se gjatë takimit janë konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe gatishmëria e përbashkët për thellimin e mëtejshëm të tyre.

“Vizita është një mundësi që marrëdhëniet e forta politike t’i shndërrojmë në bashkëpunim më konkret, veçanërisht në ekonomi, mbrojtje dhe industrinë e mbrojtjes, siguri kibernetike, shëndetësi, bujqësi dhe turizëm”, tha Mucunski.

Ai bëri të ditur se gjatë vizitës janë nënshkruar edhe dy dokumente “të rëndësishme” dypalëshe në fushat e arsimit, shkencës, kulturës, rinisë dhe sportit, si dhe për konsultimet ekonomike.

Mucunski theksoi gjithashtu se vlerësojnë solidaritetin dhe mbështetjen e Izraelit dhe popullit izraelit pas tragjedisë së vitit të kaluar në qytetin e Koçanit.

“Vazhdojmë ta avancojmë partneritetin përmes projekteve konkrete, lidhjeve më të forta ekonomike dhe mundësive të reja për bashkëpunim”, tha Mucunski.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë