Mbi 7 milionë hyrje të shtetasve të huaj janë regjistruar në Shqipëri gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026, duke konfirmuar rritjen e fluksit në kulmin e sezonit turistik.
Të dhënat e Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) tregojnë se nga janari deri në korrik janë regjistruar 7.014.168 hyrje të shtetasve të huaj, 6,5 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Vetëm gjatë korrikut, në vend hynë 1.955.099 shtetas të huaj. Krahasuar me 1.825.490 hyrjet e regjistruara në korrik 2025, shifra është rritur me 7,1 për qind.
Pjesa dërrmuese e të huajve erdhën nga Evropa. Gjatë korrikut, nga vendet evropiane u regjistruan mbi 1,8 milion hyrje, prej të cilëve rreth 1,18 milion nga Evropa Jugore.
Evropa Qendrore dhe Lindore renditet e dyta me 231.450 hyrje, e ndjekur nga Evropa Perëndimore me 224.975 dhe Evropa Veriore me 132.728.
Rritje e fluksit është regjistruar edhe nga tregjet jashtë Evropës. Nga Amerika mbërritën 67.928 shtetas, ndërsa nga Azia Lindore dhe Paqësori u shënuan 16.723 hyrje. Afrika kontribuoi me 9.041 hyrje dhe Azia Jugore me 6.487.
Sipas INSTAT-it, 99 për qind e hyrjeve të shtetasve të huaj gjatë korrikut u regjistruan për qëllime personale. Kjo kategori u rrit me 7,3 për qind në raport me korrikun e vitit të kaluar, ndërsa hyrjet për arsye biznesi dhe profesionale ranë me 8,9 për qind.
Duke përfshirë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, gjatë korrikut në Shqipëri u regjistruan gjithsej 2.826.615 hyrje, ose 6,1 për qind më shumë se në të njëjtin muaj të vitit 2025.




















