Pakistani njoftoi të hënën se janë vendosur masat e sigurisë përpara bisedimeve të mundshme të reja mes ShBA-së dhe Iranit në Islamabad.
Ministri i Brendshëm Mohsin Naqvi vizitoi Ambasadën e ShBA-së në Islamabad dhe diskutoi përgatitjet e sigurisë për raundin e dytë të pritur të negociatave me të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Pakistan, Natalie Baker, sipas një deklarate zyrtare.
Naqvi dha detaje mbi masat e sigurisë dhe uroi sukses për raundin e dytë të bisedimeve në Islamabad.
Ai gjithashtu u takua me ambasadorin iranian Reza Amiri Moghadam për të diskutuar fazën e dytë të bisedimeve.
Ai tha: “Përgatitjet për fazën e dytë të bisedimeve në Islamabad janë përfunduar dhe janë vendosur masa sigurie të plota për delegacionet e huaja.”
Donald Trump njoftoi të dielën se përfaqësues amerikanë do të udhëtojnë drejt Islamabadit për bisedime me iranianët.
Teherani ende nuk e ka shpallur zyrtarisht vendimin e tij, por ka kërkuar heqjen e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane.
Pakistani priti angazhimin më të lartë mes ShBA-së dhe Iranit më 11-12 prill, i pari që nga viti 1979 kur ndërprenë marrëdhëniet diplomatike, por bisedimet përfunduan pa rezultat konkret. Negociatat, të quajtura “bisedimet e Islamabadit”, u zhvilluan pasi Pakistani ndërmjetësoi mes dy palëve që nga fillimi i luftës më 28 shkurt dhe arriti një armëpushim dyjavor që hyri në fuqi më 8 prill.
Më herët, burime pakistaneze thanë se delegacioni iranian pritet të mbërrijë në Islamabad të martën.
Megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, deklaroi se Teherani “nuk pranon asnjë afat apo ultimatum në ndjekjen e interesave të tij kombëtare”.
Ndërkohë, presidenti iranian Masoud Pezeshkian bëri thirrje të hënën për përdorimin e “çdo rruge racionale dhe diplomatike” për uljen e tensioneve, duke theksuar se lufta nuk është në interesin e askujt.






















