Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, kanë pritur gazetarët ukrainas, të cilët po qëndrojnë në Kosovë.
Siç njofton Zyra e Presidentes, me këtë rast, në fjalën e saj drejtuar të pranishmëve, Haxhiu ka thënë se disa prej gazetarëve, gjatë këtyre viteve të vështira për ta, e kanë pasur Kosovën si shtëpi të përkohshme.
“E dimë çfarë do të thotë të largohesh nga shtëpia pa e ditur kur do të kthehesh. E dimë sa shumë vlen kur të tjerët të qëndrojnë pranë pikërisht atëherë kur ke më së shumti nevojë. Dhe e dimë pse liria, kur vihet në rrezik, mbrohet me gjithçka çka kemi”, theksoi Haxhiu.
Sipas saj, ajo që Ukraina ka treguar gjatë këtyre viteve është një qëndrueshmëri e jashtëzakonshme, duke mbrojtur vendin, duke mbajtur institucionet në punë, qytetet në lëvizje, fëmijët në shkollë dhe të vërtetën gjallë, derisa lufta vazhdon.
Ajo tha se Kosova ka qëndruar përkrah Ukrainës që nga ditët e para të pushtimit rus.
“Kosova ka ndërmarrë shumë veprime në këtë drejtim. Ka vendosur sanksione ndaj Rusisë menjëherë pas fillimit të agresionit rus dhe ka vazhduar të harmonizohet me partnerët tanë evropianë dhe transatlantikë. Kemi mirëpritur gazetarë ukrainas, kemi pezulluar përkohësisht regjimin e vizave për qytetarët e Ukrainës dhe jemi përgatitur të presim njerëz që janë të detyruar t’i lënë shtëpitë e tyre për shkak të luftës”, u shpreh Haxhiu.
Ajo tutje tha se Kosova e ka mbështetur Ukrainën edhe në mbrojtjen e saj.
“Jemi pjesë e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë marrë pjesë në trajnimin e ushtarakëve ukrainas, përfshirë edhe në kuadër të operacionit “Interflex”, ndërsa kemi dhënë edhe dy pako ndihmë ushtarake, me 30 automjete ushtarake dhe 10 mijë predha mortajash”, theksoi Haxhiu.
Haxhiu tha se Kosova do paqe për Ukrainën, një paqe e cila ja ruan asaj pavarësinë, sovranitetin por po ashtu edhe tërësinë territoriale.



















