Një anije u godit nga një predhë e panjohur teksa po kalonte në dalje përmes Ngushticës së Hormuzit, njoftoi në orët e para të së martës Qendra e Operacioneve Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO).
"Zyrtari i Sigurisë së Kompanisë raportoi se anija u godit nga një predhë e panjohur gjatë kalimit në dalje përmes Ngushticës së Hormuzit. Goditja shkaktoi dëmtime në dhomën e motorit dhe la të plagosur një anëtar të ekuipazhit", thuhet në deklaratë.
UKMTO-ja tha se pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit po ndihmohen nga Roja Bregdetare e Omanit.
Sipas njoftimit, nuk është raportuar ndonjë ndikim mjedisor, ndërsa autoritetet po hetojnë incidentin.
UKMTO-ja u bëri thirrje anijeve që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit të tregojnë kujdes dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë.
Ngushtica e Hormuzit ka qenë skenë e rritjes së tensioneve mes ShBA-së dhe Iranit, duke shtuar frikën për ndërprerje të transportit detar dhe furnizimeve globale me energji, pavarësisht përpjekjeve diplomatike për të konsoliduar mirëkuptimin mbi lirinë e lundrimit në këtë rrugë ujore strategjike.























