| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Policia izraelite qëllon dhe vret një palestinez në Jerusalemin Lindor të pushtuar
Forcat izraelite vendosën një kordon ushtarak, duke penguar palestinezët të mbërrinin për faljen e namazit të sabahut, sipas agjencisë palestineze të lajmeve Wafa.
Policia izraelite qëllon dhe vret një palestinez në Jerusalemin Lindor të pushtuar
Policia izraelite qëllon dhe vret një palestinez në Jerusalemin Lindor të pushtuar

Policia izraelite qëlloi dhe vrau të premten një palestinez në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit Lindor të pushtuar, duke pretenduar se ai kishte tentuar të godiste me thikë një efektiv policie.

Në një deklaratë, policia tha se efektivët që vepronin pranë Portës së Damaskut vunë re një banor 33-vjeçar të Jerusalemit Lindor, i cili “tentoi të kryente një sulm me thikë ndaj tyre”.

Policia tha se efektivët hapën zjarr ndaj burrit, i cili u shpall i vdekur në vendngjarje.

Në deklaratë nuk bëhej i ditur identiteti i palestinezit dhe nuk jepeshin detaje të tjera mbi incidentin.

Pas incidentit, agjencia palestineze e lajmeve Wafa raportoi se forcat izraelite u vendosën në numër të madh rreth Portës së Damaskut dhe Qytetit të Vjetër.

Wafa shtoi se forcat vendosën një kordon ushtarak dhe forcuan masat në zonë, duke penguar palestinezët të mbërrinin për faljen e namazit të sabahut.

Territoret e pushtuara palestineze kanë përjetuar periodikisht të shtëna me armë, sulme me thikë dhe sulme me automjete ndaj ushtarëve ose forcave izraelite, mes sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor të pushtuar.

Izraeli ka vrarë më shumë se 73.000 njerëz dhe ka plagosur mbi 174.000 të tjerë në Gaza që nga 8 tetori 2023.

Sulmet e ushtrisë izraelite dhe kolonëve në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga fillimi i ofensivës në Gaza kanë vrarë më shumë se 1.000 palestinezë dhe kanë plagosur mbi 12.000 të tjerë, ndërsa rreth 24.000 janë arrestuar.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë