Ministria e Mbrojtjes raporton se në Shqipëri janë regjistruar 20 vatra zjarri gjatë 6 shtatorit, deri në orën 20:00. Nga këto, 11 janë ende aktive, shtatë po monitorohen, ndërsa dy janë shuar.
Ndërhyrjet po vijojnë në disa qarqe të vendit, me angazhimin e forcave zjarrfikëse, strukturave vendore dhe Forcave të Armatosura, të cilat po përdorin mjete tokësore dhe ajrore.
Në fokus mbetet Mali i Dajtit, ku zjarri nuk është neutralizuar ende. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar efektivë, mjete të Forcave të Armatosura dhe helikopterë.
Një tjetër vatër aktive është ajo në Kryezi të Kavajës. Përkrah ekipeve zjarrfikëse, operacioni po mbështetet nga një avion “Air Tractor”.
Në Dibër, flakët janë aktive në zonën Lundre–Madhesh të Matit. Ndërhyrja vazhdon edhe në Lezhë, në aksin Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku po përdoren dy helikopterë të Forcave të Armatosura.
Në Shkodër, vijojnë zjarret në Bardhaj–Myselim dhe Kulumri të Fushë-Arrëzit. Për shuarjen e tyre janë angazhuar forcat vendore, vullnetarë dhe Forcat e Armatosura, me mbështetje ajrore.
Vatra të tjera aktive janë evidentuar në Kropisht të Selenicës dhe në Vokopolë të Poliçanit.
Ndërkohë, në disa zona të qarqeve Korçë, Elbasan, Durrës, Fier, Kukës dhe Shkodër, situata është nën kontroll dhe vatrat po mbahen nën vëzhgim. E njëjta situatë paraqitet edhe në zonën Drizë–Peshtan–Frakull të Fierit.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon koordinimin me prefekturat, bashkitë dhe strukturat përgjegjëse për monitorimin e situatës në të gjithë vendin.
Forcat operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve, banesave dhe pronës.





















