| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Zjarret kanë shkrumbuar 70 mijë hektarë në Atikë të Greqisë gjatë nëntë viteve
"Kemi hyrë në një epokë të re, epokën e krizës klimatike, të cilën për fat të keq nuk po e marrim parasysh aq sa duhet", tha drejtori kërkimor i Observatorit Kombëtar të Athinës, Kontoes.
Zjarret kanë shkrumbuar 70 mijë hektarë në Atikë të Greqisë gjatë nëntë viteve
Zjarret kanë shkrumbuar 70 mijë hektarë në Atikë të Greqisë gjatë nëntë viteve

Zjarret kanë djegur rreth 70 mijë hektarë në gjithë rajonin e Atikës në Greqi gjatë nëntë viteve të fundit, tregojnë të dhënat e Observatorit Kombëtar të Athinës, raportuan sot mediat lokale.

Zjarri i fundit në Atikën perëndimore ka djegur rreth 14 mijë hektarë, megjithëse nevojitet analizë e mëtejshme për të përcaktuar shkallën përfundimtare të dëmit, raportoi transmetuesi publik grek ERT.

Drejtori kërkimor i njësisë BEYOND të Observatorit, Haris Kontoes tha se sistemet e monitorimit satelitor, të cilat ofrojnë përditësime çdo pesë minuta, kanë zbuluar shpërthime të përsëritura dhe shfaqjen e fronteve të reja të zjarrit.

Zjarri është zgjeruar në zona të prekura më parë nga zjarre të mëdha, përfshirë tokën e djegur në 2009 dhe 2021. Hartat e prodhuara nga njësia tregojnë se shumë nga shenjat aktuale të djegies përputhen me gjurmën e zjarrit të vitit 2009, tha Kontoes.

Pasi u zhvendos drejt lindjes përmes zonës së Porto Germenos, flakët hasën tokën e djegur në vitin 2021, ku mbeti bimësi më pak e djegshme. "Aty ku ishte djegur në vitin 2021, nuk kishte më të njëjtën lëndë djegëse. Pra, zjarri po kërkon çfarëdo pylli të gjallë që ekziston", tha ai.

Kontoes paralajmëroi se numri i madh i shtëpive të ndërtuara brenda ose pranë zonave pyjore rrit ndjeshëm rrezikun për banorët. "Vendbanimet bregdetare janë ndërtuar në pyje", tha ai duke e përshkruar Atikën perëndimore si shembull të një problemi më të gjerë që e prek rajonin.

Ai tha se frekuenca dhe intensiteti në rritje i zjarreve në mes të krizës klimatike kërkon ndryshime në planifikimin urban dhe mbrojtjen e familjeve. Ndërtesat e vjetra pa mbrojtje të mjaftueshme nga zjarri, parcelat e papastruara dhe rrugët e ngushta që pengojnë aksesin për automjetet zjarrfikëse mbeten rreziqe të vazhdueshme, shtoi ai.

"Kemi hyrë në një epokë të re, epokën e krizës klimatike, të cilën për fat të keq nuk po e marrim parasysh aq sa duhet", tha Kontoes.



BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë