| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kosovë, mbahet mbledhja e parë e Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare "Prishtina 2030"
Në këtë mbledhje mori pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi, kreu i Prishtinës Përparim Rama dhe anëtarë të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare "Prishtina 2030".
Kosovë, mbahet mbledhja e parë e Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare "Prishtina 2030"
Kosovë, mbahet mbledhja e parë e Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare "Prishtina 2030"

Është mbajtur në Qeverinë e Kosovës mbledhja e parë e Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare "Prishtina 2030". 

Në këtë mbledhje mori pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi, kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, anëtarë të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare "Prishtina 2030", përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Duke i cilësuar Lojërat Mesdhetare "Prishtina 2030" një nga projektet më të rëndësishme që Kosova do t'i realizojë në vitet e ardhshme, kryeministri Kurti tha se për herë të parë, Kosova do të mirëpresë një ngjarje sportive të kësaj përmase, duke sjellë së bashku sportistë, delegacione dhe partnerë nga vende të ndryshme të Mesdheut.

"Për Kosovën, kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të dëshmuar kapacitetin tonë organizativ, për të avancuar sportin dhe infrastrukturën sportive dhe për ta prezantuar vendin tonë para një audience të gjerë ndërkombëtare”, tha ai.

Në fjalën hyrëse, para anëtarëve të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare, kryeministri Kurti theksoi se "Prishtina 2030" është projekt i përbashkët, me rëndësi shtetërore e kombëtare, i cili kërkon vizion afatgjatë, bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional dhe angazhim të secilit institucion.

Përkitazi me këtë, Kurti tha se suksesi nuk do të matet vetëm me organizimin e një ngjarjeje sportive, por do të matet me mënyrën se si ndërtohen institucione më të forta, zhvillohet infrastrukturë moderne, krijohet besim tek partnerët ndërkombëtarë dhe lihet trashëgimi e qëndrueshme për Kosovën.

Ai shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që ky proces të zhvillohet mbi parimet e bashkëpunimit ndërinstitucional, transparencës, llogaridhënies dhe standardeve më të larta të menaxhimit, duke theksuar se kjo është rruga e vetme për të ndërtuar besim, për të garantuar vazhdimësi dhe për të siguruar që çdo vendim të jetë në funksion të suksesit të projektit.

Në Lojërat Mesdhetare "Prishtina 2030" pritet të marrin pjesë 26 vende nga tri kontinente të botës, ndërsa programi sportiv përmban rreth 24 sporte, me pjesëmarrjen e rreth pesë mijë sportistëve. Në kuadër të këtij organizimi sportiv do të jetë edhe qyteti i Durrësit, në të cilin do të mbahen gara në sportin e lundrimit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë