Autoritetet greke të mbrojtjes civile kanë shpallur nivelin më të lartë të rrezikut nga zjarret pyjore për Kretën, Rodosin dhe Karpatosin, për shkak të erërave të forta.
Sipas autoriteteve, rreziku i shtuar vjen si pasojë e erërave të forta nga veriu, të cilat pritet të arrijnë shpejtësi prej 8 deri në 9 ballë Beaufort.
Kategoria 4, e përshkruar si rrezik shumë i lartë, është në fuqi në gjithë Atikën, Evian jugore, Lakoninë jugore, Cikladet dhe ishujt e Egjeut lindor.
Autoritetet u kanë bërë thirrje agjencive përkatëse, bashkive dhe administratave rajonale në zonat me rrezikun më të lartë që të rrisin nivelin e gatishmërisë.
Kombinimi i kushteve të thata dhe erërave të fuqishme pritet të vështirësojë përpjekjet për shuarjen e mundshme të zjarreve.
Qytetarëve u është bërë thirrje të shmangin aktivitetet që mund të shkaktojnë zjarre në zona të hapura.























