Forcat izraelite arrestuan dy palestinezë të premten gjatë bastisjeve në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa qindra pushtues izraelitë bastisën fshatin Awarta në jug të Nablusit nën mbrojtjen e ushtrisë, raportuan mediat palestineze.
Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa tha se forcat izraelite bastisën fshatin Tell, në jugperëndim të Nablusit, kontrolluan disa shtëpi dhe dëmtuan orenditë e tyre para se të arrestonin një palestinez dhe t’i sekuestronin automjetin.
Një tjetër palestinez i ri u arrestua gjatë një bastisjeje izraelite në kampin e refugjatëve Qalandia, në veri të Kudsit Lindor të pushtuar, thanë burime lokale.
Në provincën e Nablusit, qindra pushtues bastisën fshatin Awarta të premten herët nën mbrojtjen e ushtrisë izraelite dhe kryen rituale talmudike në faltoret islame në fshat, sipas të njëjtave burime.
Forcat izraelite gjithashtu sekuestruan një shtëpi në fshat dhe e shndërruan atë në një post ushtarak.
Në provincën e Betlehemit, forcat izraelite bastisën fshatin Al-Ma’sara në jug të qytetit dhe kontrolluan shtëpinë e ish-të burgosurit dhe të dëbuarit Mohammed Zawahra, por nuk u raportuan arrestime, tha Wafa.
Në provincën Tubas në veri të Bregut Perëndimor, burime lokale i thanë Anadolu-s se forcat izraelite hynë në vendbanimin Tammun me disa automjete ushtarake, u dislokuan në disa zona dhe bastisën një shtëpi, por nuk u raportuan arrestime.
Bregu Perëndimor i pushtuar ka përjetuar përshkallëzim të vazhdueshëm të sulmeve të pushtuesve dhe operacioneve ushtarake izraelite që nga fillimi i gjenocidit të Izraelit në Gaza më 8 tetor 2023.
Përshkallëzimi ka ardhur paralelisht me zgjerimin e pikave të vendbanimeve, ndërtimin e rrugëve dhe rritjen e kufizimeve ndaj lëvizjes së palestinezëve.























