Në Republikën e Kosovës është lansuar një aplikacion me qëllim të luftimit të dukurisë së dhunës ndaj fëmijëve.
Ngjarja lansuese e projektit "Platforma Digjitale për Raportimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Fëmijëve në Kosovë", bëri bashkë sot udhëheqës të institucioneve të shtetit dhe aktivistë për të drejtat e fëmijëve.
"Terre des hommes" në Kosovë (TdhK), në partneritet me Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) dhe Zyrën për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, lanson projektin "Platforma Digjitale për Raportimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Fëmijëve në Kosovë".
Shefi i Zyrës "Terre des hommes" në Kosovë, Pajtim Zeqiri tha se çfarëdo mekanizmi raportues për dhunën ndaj fëmijëve është investim i drejtpërdrejtë në mirëqenien ndaj fëmijëve. Ai tha se pa raportim nuk ka identifikim të hershëm të dhunës, pa identifikim nuk mund të ketë ndërhyrje dhe rrjedhimisht pa ndërhyrje s'mund të ketë as mbrojtje.
"Disa mund të mos raportojnë se mund të kenë frikë, disa nuk dinë ku të drejtohen, disa nuk kanë besim se do të dëgjohen. Dhe, pikërisht këtu qëndron fuqia e këtij aplikacioni, sepse ai nuk është krijuar për ta zëvendësuar as mësuesin as policin as pedagogun dhe as punëtorin social, mirëpo përkundrazi është ndërtuar për ta bërë më të lehtë dhe më të qasshëm hapin e parë: kërkimin e ndihmës", theksoi Zeqiri.
Udhëheqësi i Ekipit për Sundimin e Ligjit dhe të Drejtat Themelore në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nicola Scaramuzzo tha se kjo platformë është më rëndësi sepse është ndërtuar mbi eksperiencat dhe ekspertizat e institucioneve, shkollave dhe fëmijëve.
Ai tha se vetëm teknologjia nuk mjafton në këtë aspekt, por duhet aksion dhe veprim institucional për ndalimin e dhunës ndaj fëmijëve. "Kjo platformë është më shumë se një vegël digjitale, reflekton një angazhim të përbashkët nga përfaqësues të ndryshëm të institucioneve për ta bërë raportimin të sigurt, reagimin më të shpejtë, ndërlidhshmërinë e institucioneve më efektive dhe sistemin mbrojtës më efektiv", tha Scaramuzzo.
Sipas një ankete të publikuar në vitin 2020 në Kosovë, realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe UNICEF, 72 për qind e fëmijëve të moshës 1–14 vjeç në Kosovë janë raportuar se përjetojnë disiplinim të dhunshëm, që përfshin agresion psikologjik dhe/ose ndëshkim fizik ndërsa vetëm 24 për qind disiplinohen ekskluzivisht me metoda jo të dhunshme.





















