Ministri i Jashtëm i Armenisë, Ararat Mirzoyan, tha të hënën se beson se vendi i tij do të arrijë normalizim të plotë të marrëdhënieve me Türkiyen në “të ardhmen e afërt”.
Duke cituar deklaratat e tij para ligjvënësve në një seancë të përbashkët komisionesh në parlament, agjencia shtetërore e lajmeve Armenpress raportoi se Mirzoyan tha se dialogu i Armenisë me Türkiyen ka vazhduar.
Duke theksuar se në këtë kuadër janë zhvilluar disa takime, Mirzoyan tha se njëri prej tyre ishte takimi i grupit të punës të krijuar për rihapjen e linjës hekurudhore Kars-Gyumri.
“Pritshmëria dhe bindja ime është se në një të ardhme shumë të afërt, në një fazë të caktuar, do të kemi përparim konkret drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve tona me Türkiyen”, tha Mirzoyan.
“Dua të shpreh bindjen se në të ardhmen e afërt do të kemi, në fakt, normalizim të plotë”, shtoi ai.
Ministri i Jashtëm u citua gjithashtu të ketë thënë se tregtia e drejtpërdrejtë mes Armenisë dhe Türkiyes tashmë ekziston në kuptimin doganor, megjithëse në aspektin gjeografik ajo vazhdon të realizohet përmes vendeve të treta.
Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Türkiye ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Armenisë më 21 shtator 1991.
Megjithatë, Ankaraja mbylli kufirin dhe ndërpreu marrëdhëniet diplomatike në vitin 1993, pas pushtimit nga Armenia të rajonit të Karabakut të Azerbajxhanit.
Marrëdhëniet nisën të përmirësohen pas Luftës së Dytë të Karabakut në vjeshtën e vitit 2020, kur të dyja vendet emëruan të dërguar të posaçëm për të çuar përpara procesin e normalizimit, në kuadër të të cilit janë zhvilluar disa raunde bisedimesh.
















