Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu sinjalizoi që Izraeli mund të ndërmarrë veprime ushtarake të njëanshme kundër Iranit, ndërsa përpjekjet diplomatike vazhdojnë për të siguruar një marrëveshje që synon përfundimin e konfliktit mes Teheranit dhe Uashingtonit.
“Dëgjuam sot komandantin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, Ahmad Vahidi, duke deklaruar se Irani synon të vazhdojë zhvillimin e një arme bërthamore”, tha Netanyahu.
“Si kryeministër i Izraelit, jam i vendosur ta pengoj Iranin të sigurojë armë bërthamore”, shtoi ai.
Duke e përshkruar ShBA-në si “aleatin më të madh të Izraelit”, kryeministri izraelit tha megjithatë se është “i vendosur të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të garantuar” sigurinë e Izraelit.
Të martën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari, tha se përpjekjet e ndërmjetësimit mes ShBA-së dhe Iranit kanë arritur “fazat e avancuara”, ndërsa të dyja palët po shkëmbejnë drafte propozimesh.
Duke folur në konferencën javore për shtyp të ministrisë, Al-Ansari tha se përpjekjet po vazhdojnë me të gjitha palët për të arritur një zgjidhje diplomatike.
Më 28 shkurt, ShBA-ja dhe Izraeli nisën një luftë kundër Iranit, e cila sipas autoriteteve iraniane ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 3.000 personave.
Irani u përgjigj me sulme ndaj vendeve të rajonit që strehojnë asete amerikane.
Në qershor, Katari iu bashkua Pakistanit si pjesë e një ekipi ndërmjetësimi mes Uashingtonit dhe Teheranit, duke çuar në nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi më 18 qershor dhe fillimin e negociatave për një marrëveshje përfundimtare.
Bisedimet më pas ngecën për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me sigurinë detare dhe lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Nga 8 deri më 24 korrik, tensionet u përshkallëzuan sërish, pasi ShBA-ja kreu sulme ndaj Iranit, duke bërë që Teherani të godiste ato që i cilësoi si objekte dhe pajisje ushtarake amerikane në disa vende arabe, veçanërisht në Jordani, Bahrein dhe Kuvajt.




















